Rusia ka deklaruar se nuk ka informacion për armëpushimin energjetik mes saj dhe Ukrainës, të cilin presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se e kishte arritur mes dy vendeve.

Deklarata u bë nga Igor Ananskikh, nënkryetar i Komitetit të Energjisë në Dumën Shtetërore të Rusisë, sipas mediave lokale. Ai tha se Moska nuk ka dijeni për ndonjë marrëveshje që parashikon ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Ananskikh vuri gjithashtu në pikëpyetje deklaratat e presidentit amerikan, duke sugjeruar se ato mund të lidhen me përpjekjet për të mbajtur nën kontroll çmimet e naftës.

“Trump shpesh bën deklarata për të mbajtur çmimet të ulëta”, u shpreh ligjvënësi rus.

Më herët, Trump njoftoi përmes platformës Truth Social se Rusia dhe Ukraina kishin pranuar një armëpushim të menjëhershëm për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi kushtet e marrëveshjes apo mënyrën se si do të zbatohej ajo.

Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se nuk kishte dijeni për një marrëveshje të tillë dhe se po priste sqarime nga pala amerikane.

Zelensky ka shprehur gatishmërinë e Ukrainës për të ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike ruse, me kusht që Moska të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb