Një operacion i njësive speciale të Marinës së Meksikës ka përfunduar me arrestimin e Audias Flores Silva, një figurë kyçe brenda kartelit Jalisco Nueva Generacion (CJNG). Aksioni u zhvillua në shtetin Nayarit, në veri të qytetit Guadalajara, dhe u konfirmua nga sekretari i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch.

Sipas autoriteteve, Flores Silva ishte një nga drejtuesit rajonalë më të rëndësishëm të organizatës kriminale, me ndikim të madh në zonat bregdetare të Paqësorit. Ai konsiderohej gjithashtu si një ndër kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e kartelit pas liderit aktual, Nemesio Oseguera. Ndaj tij ekzistonte një urdhër arresti në Meksikë, ndërsa autoritetet amerikane kishin kërkuar ekstradimin, duke vendosur një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për kapjen e tij.

Arrestimi erdhi pas një operacioni të mirëorganizuar nga forcat detare, me përfshirjen e njësive elitare. Flores Silva përballet me akuza të rënda në Shtetet e Bashkuara, përfshirë trafik ndërkombëtar të drogës – veçanërisht kokainë dhe heroinë – si dhe shkelje që lidhen me armët. Ai ishte përfshirë gjithashtu në listën e trafikantëve ndërkombëtarë të drogës nga Departamenti i Thesarit amerikan. Kjo nuk është hera e parë që ai përballet me drejtësinë: më herët kishte vuajtur një dënim pesëvjeçar për vepra të ngjashme, përpara se të rikthehej në aktivitet kriminal.

Karteli CJNG, i krijuar në vitin 2009, konsiderohet sot një nga organizatat më të fuqishme dhe më të dhunshme të trafikut të drogës në Meksikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb