Mijëra venezuelas morën pjesë në marshimet në të gjithë vendin, si pjesë e një demonstrate paqeje për të refuzuar shpërblimin prej 50 milionë dollarësh të ofruar nga qeveria amerikane për arrestimin e presidentit venezuelas Nicolas Maduro.
Gjatë protestës qytetarët treguan mbështetje për presidentin, duke shërbyer si një përgjigje nga venezuelasit ndaj administratës amerikane.
Departamenti amerikan i Shtetit dhe ai i Drejtësisë njoftuan të enjten një shpërblim deri në 50 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro për shkelje të dyshuara të ligjeve amerikane për narkotikët.
Shpërblimi, që ofrohet në kuadër të Programit të Shpërblimeve për Narkotikët, shënon një përshkallëzim të rëndësishëm në përpjekjet e administratës amerikane për ta sjellë Maduron para drejtësisë. Kjo dyfishon shpërblimin e mëparshëm, i cili u caktua në janar në 25 milionë dollarë.
Në deklaratë thuhet se udhëheqësi venezuelas ka qenë figurë kyçe për më shumë se një dekadë në kartelin “Cartel de los Soles”, një organizatë kriminale e akuzuar për trafikimin e sasive të mëdha të drogës në SHBA.
“Për më shumë se një dekadë, Maduro ka qenë udhëheqës i kartelit ‘Cartel de los Soles’, i cili është përgjegjës për trafikimin e drogës në SHBA”, thuhet në deklaratë. Më 25 korrik, Departamenti amerikan i Thesarit e caktoi kartelin si një Grup Terrorist Global të Përcaktuar Posaçërisht (SDGT), duke përmendur rolin e tij të vazhdueshëm në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
“Që nga viti 2020, Maduro ka mbytur demokracinë dhe ka kapur pushtetin në Venezuelë. Maduro pretendon se ka fituar zgjedhjet presidenciale në Venezuelë më 28 korrik 2024, por nuk arriti të paraqesë ndonjë provë se ai ka fituar. SHBA-ja ka refuzuar ta njohë Maduron si fitues të zgjedhjeve të vitit 2024 dhe nuk e njeh atë si president të Venezuelës”, thuhet më tej.
“Departamenti amerikan i Shtetit dhe Departamenti i Drejtësisë po e rrisin shpërblimin për arrestimin e diktatorit Nicolas Maduro në 50 milionë dollarë për shkelje të ligjeve amerikane për narkotikët.
Maduro është kreu i kartelit ‘Cartel de Los Soles’, një organizatë narko-terroriste që ka pushtuar Venezuelën. Maduro duhet të sillet para drejtësisë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në X.
(BalkanWeb)
