Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vijuar fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke u ndalur këtë herë te energjia, Inteligjenca Artificiale dhe marrëdhëniet me Venezuelën, në rikthimin e tij të parë në këtë forum gjatë mandatit të dytë presidencial.
Trump deklaroi se Venezuela ka qenë për një kohë të gjatë një vend i shkëlqyer, por që aktualisht po përballet me probleme. Sipas tij, SHBA po e ndihmon vendin latino-amerikan dhe ka nisur bashkëpunimin në sektorin e naftës. “Do ta ndajmë naftën me ta dhe ata do të bëjnë më shumë para nga sa kanë bërë ndonjëherë,” u shpreh Trump, duke vlerësuar lidershipin venezuelian si të zgjuar dhe bashkëpunues pas sulmit, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ai shtoi se çmimi i naftës ka rënë dhe se shumë shpejt do të ulet edhe më tej, në nivele që, sipas tij, nuk janë parë që nga administrata e tij e kaluar. Trump theksoi se kompanitë e mëdha të naftës po bashkohen me SHBA-në në këtë drejtim.
Në fjalën e tij, presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se ka firmosur aprovimin për reaktorë bërthamorë, duke theksuar se më parë kishte rezerva për shkak të rrezikut, por se progresi në aspektin e sigurisë është “i shkëlqyer”. “Tani mund të kemi energji të sigurt dhe me çmime të mira,” tha ai.
Trump deklaroi se SHBA po udhëheq botën në Inteligjencën Artificiale dhe se është përpara Kinës në këtë fushë. Ai theksoi se presidenti kinez Xi Jinping respekton atë që SHBA po bën, pasi administrata e tij ka lejuar kompanitë e mëdha të ndërtojnë kapacitetet e tyre energjetike. “Po bëjmë më shumë se çdo vend tjetër në botë,” u shpreh Trump.
Ai shtoi se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale kërkon dyfishin e energjisë aktuale dhe se u ka dhënë kompanive leje të shpejta për ndërtimin e impianteve të energjisë, duke premtuar aprovime brenda dy javësh.
Trump kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për politikat e energjisë së gjelbër, duke i cilësuar ato si “një mashtrim i madh”. Sipas tij, Europa dhe Britania kanë shmangur përdorimin e rezervave të mëdha energjetike, çka ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve. Ai përmendi Gjermaninë, ku sipas tij prodhimi i energjisë ka rënë dhe çmimet janë rritur me 64%, si dhe Britaninë, e cila prodhon vetëm një të tretën e energjisë krahasuar me vitin 1999.
“Dua që Europa dhe Britania të bëjnë mirë. Ato kanë disa nga rezervat më të mëdha të energjisë në botë dhe nuk i përdorin,” përfundoi Trump, duke theksuar se politika e tij energjetike ka shmangur një kolaps energjetik në SHBA, ndryshe nga ajo që, sipas tij, ka ndodhur në BE.
