SHBA vendosi sanksione ekonomike kundër disa zyrtarëve të Republika Srpska, një entitet serb i Bosnjës, të akuzuar për minimin e marrëveshjeve të vitit 1995 që i dhanë fund luftës në ish-Jugosllavi, pas miratimit të një ligji nga ana e këtyre të fundit.

”Katër zyrtarët kanë përgjegjësi për nxitjen e miratimit të këtij ligji që kërcënon zbatimin e Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës në ish-Jugosllavi (1992-1995)”, tha në një deklaratë Departamenti i Thesarit i SHBA-së.

Këto sanksione synojnë presidentin e Asamblesë së Republika Srpska, Nenad Stevandiç, kryeministrin Radovan Viskoviç, ministrin e Drejtësisë Millosh Bukejloviç si dhe Zheljka Cvijanoviç, anëtare serbe e presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës.

Milorad Dodik, president i Republika Srpska dhe i afërt me Kremlinin, nuk është në mesin e atyre që janë në shënjestër.

Sanksionet ekonomike ndaj tij janë marrë tashmë në vitin 2017 dhe 2022 nga Uashingtoni, për masat e tij që synojnë pengimin e zbatimit të marrëveshjeve të Dejtonit.

Më 9 korrik, ai shpalli një ligj, të miratuar më parë nga Parlamenti, i cili pezullon njohjen nga entiteti serb i Bosnjës të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, të cilat megjithatë zbatohen në teori në të gjithë vendin.

Sipas kushteve të Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja u nda më dysh: një entitet serb – Republika Srpska – dhe një federatë kroato-muslimane.

“Ky veprim kërcënon stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje- Hercegovinës dhe paqen e fituar me vështirësi të mbështetur nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit”, tha nënsekretari i Thesarit i SHBA për Terrorizmin, Brian Nelson, cituar në njoftim.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA, kishin shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij ligji, të shqetësuara se do të shihnin përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve në këtë vend ballkanik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb