E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të sistemeve raketore JAVELIN në Shqipëri, ku mbajti edhe një fjalim përshëndetës për përfaqësuesit ushtarakë dhe diplomatikë të pranishëm.
VanHorn theksoi rëndësinë e rritjes së angazhimit për sigurinë si një “pagesë paraprake për paqen përmes forcës”. Ajo shtoi se kjo kërkon jo vetëm rritje të shpenzimeve të mbrojtjes, por edhe fokus të vazhdueshëm në gatishmërinë luftarake dhe modernizimin e ushtrisë.
“Rritja e angazhimit tuaj për sigurinë është një pagesë paraprake për paqen përmes forcës. Kjo paradhënie kërkon jo vetëm rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por edhe një fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë luftarake dhe modernizimin ushtarak”, tha VanHorn.
Diplomatja amerikane gjithashtu vlerësoi kontributin e Shqipërisë me trupa ushtarake në misione ndërkombëtare: “Mjedisi me të cilin përballemi kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Në emër të SHBA, dua të vlerësoj kontributin tuaj me trupat ushtarake për NATO dhe misionet ushtarake në mbarë botën”.
