Zbatimi i sanksioneve amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) është shtyrë për herë të gjashtë për 30 ditë të tjera. Sanksionet e Departamentit të Thesarit të SHBA-së kundër Gazpromneft të Rusisë fillimisht ishin planifikuar të hynin në fuqi më 27 shkurt, por që atëherë janë shtyrë vazhdimisht.
Gazpromneft, një degë e Gazprom, ishte pronare e rreth 56% të aksioneve të NIS, shteti i Serbisë kontrollon rreth 30% të pronësisë, dhe pjesa tjetër janë aksionarë të pakicës. Në vend të Gazpromneft, ndërkohë, aksionet kryesore të NIS u morën nga Gazprom, i cili nuk i nënshtrohet sanksioneve globale të SHBA-së.
Vendimi për të vendosur sanksione ndaj kompanive ruse nga sektori i energjisë, Surgutneft dhe Gazpromneft dhe degëve të tyre, me qëllim uljen e të ardhurave të Moskës nga shitja e produkteve energjetike të përdorura për të financuar luftën në Ukrainë, u mor nga Thesari i SHBA-së më 10 janar.
Që nga janari, negociatat kanë vazhduar në trekëndëshin Uashington, Beograd dhe Moskë – dhe vonesa të vazhdueshme – në lidhje me futjen e sanksioneve amerikane ndaj NIS, një kompani kyçe për furnizimin e qytetarëve të Serbisë me derivate të naftës, por edhe një nga më të rëndësishmet për produktin shoqëror bruto dhe buxhetin e shtetit.
Prej fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia ka arritur të shmangë vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, si i vetmi vend evropian përveç Bjellorusisë që nuk e ka bërë ende këtë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në janar se Serbia kërkon tërheqjen e plotë të interesit rus nga kompania.
Pas publikimit të vendimit për sanksionet, NIS njoftoi se do të shqyrtojë me kujdes të gjitha detajet në lidhje me informacionin e publikuar, do të analizojë të gjitha pasojat për biznesin dhe do të mbetet i përqendruar në ruajtjen e stabilitetit në tregun vendas të derivateve të naftës, thuhet në deklaratën e kompanisë.
