Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka nisur turin në Azi, gjatë të cilit do të takohet me me homologun e tij kinez Xi Jinping.
Ditën e mërkurë presidenti amerikan njoftoi “një udhëtim të madh” në Malajzi, Japoni dhe Korenë e Jugut, që do të jetë vizita e tij e parë në rajon gjatë mandatit të dytë presidencial.
Shtëpia e Bardhë publikoi të enjten detaje mbi programin e Trumpit, duke konfirmuar takimin me Xi-n, i cili do të zhvillohet të enjten, më 30 tetor, në Korenë e Jugut, në kuadër të samiti të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi–Paqësor (APEC).
“Të enjten në mëngjes, me orën lokale, presidenti Trump do të marrë pjesë në një takim dypalësh me presidentin Xi të Republikës Popullore të Kinës, përpara se të niset për në SHBA,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Levitt.
Një luftë tregtare SHBA–Kinë, që ziente prej muajsh, shpërtheu në fillim të këtij muaji, kur Pekini zgjeroi ndjeshëm kufizimet mbi eksportet e mineraleve të rralla.
Trump atëherë kërcënoi me tarifa hakmarrëse dhe masa të tjera, por ditët e fundit është shprehur më optimist për mundësinë e një marrëveshjeje tregtare dypalëshe.
