Pre-taktikë apo shqetësim i vërtetë? Andrea Stela, shefi i MekLarenit, shfaq respekt dhe një nuancë (të kuqe…) shqetësimi për paraqitjet e rivalëve kryesorë në kampionat, veçanërisht Ferrarit dhe Mercedesit, pas testeve në Barcelonë dhe sidomos pas sesionit të parë të testeve parasezonale në Sakhir.
Megjithatë, drejtuesi i MekLarenit nuk duket i gatshëm të heqë dorë nga roli i favoritit kryesor për titullin e tretë radhazi mes Konstruktorëve dhe për mbrojtjen e titullit mes pilotëve, duke u dhënë takim rivalëve në raundin e dytë të testeve në Sakhir, që do të zhvillohet nga e mërkura, 18 shkurt, deri të premten, 20 shkurt.
“Në aspektin e ritmit të garës, mund të konfirmoj se Ferrari duket mjaft konkurruese. Në simulimin që zhvilloi Luis Hamilton në Sakhir, në pistë në të njëjtën kohë ishin Kimi Antoneli dhe ne me Oskar Piastri, mendoj se dy rivalët tanë ishin më të shpejtë se ne. Edhe simulimi i Sharl Lëklerkut ishte mjaft konkurrues dhe në të njëjtin nivel. Megjithatë, ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm për të mos i dhënë shumë peshë asaj që shohim në testime.
Gjithsesi, për momentin mendoj se Ferrari dhe Mercedesi mund të vendosen në krye të listës, sa i përket skuadrave që duken më të përgatitura nga pikëpamja e performancës”. Më tej drejtuesi italian i skuadrës kampione të Formulës 1 shtoi: “Duhet të them se tri ditët e para në Sakhir kanë qenë jashtëzakonisht pozitive për sa i përket kilometrave që arritëm të përshkojmë në aspektin e besueshmërisë dhe efikasitetit. Kaluam nëpër të gjithë listën e kontrolleve që duhej të përfundonim për të homologuar makinën e re, e cila është një projekt plotësisht i ri. Ka një aspekt shumë pozitiv në punën që kemi bërë deri tani: dy ditët e para në Barcelonë kërkuan mjaft angazhim për të nisur projektin, por që nga dita e tretë e ‘Shakedoën Test’-it në Spanjë dhe më pas në sesionin e parë në Sakhir, bilanci ynë është mjaft pozitiv”, përfundoi Stela.
