Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka paralajmëruar se një ofensivë gjithëpërfshirëse izraelite në Rafah, ku janë strehuar qindra mijëra palestinezë të zhvendosur, do t’i jepte fund programeve të ndihmës së OKB-së në Gaza.

“Rafah është thelbi i operacionit të ndihmës humanitare dhe UNRWA është shtylla kurrizore e kësaj përpjekjeje,” tha Guterres.

“Një ofensivë gjithëpërfshirëse izraelite në qytet jo vetëm që do të ishte e tmerrshme për më shumë se një milion civilë palestinezë të strehuar atje; do të vinte gozhdën e fundit në arkivolin e programeve tona të ndihmës.”

“Unë përsëris thirrjen time për një armëpushim humanitar dhe lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve,” kërkoi ai.

Duke theksuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së shpesh është “i bllokuar, i paaftë për të vepruar për çështjet më të rëndësishme të paqes dhe sigurisë së kohës sonë”, ai shtoi se: “Mungesa e unitetit të Këshillit për pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe për operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza pas sulmeve e tmerrshme terroriste nga Hamasi më 7 tetor, kanë minuar rëndë, ndoshta në mënyrë fatale  autoritetin e saj.”

Shefi i OKB-së theksoi se këshilli ka nevojë për “reforma serioze” në përbërjen e tij dhe metodat e punës.

“Ne kemi nevojë urgjente për një angazhim të ri për të gjitha të drejtat e njeriut – civile, kulturore, ekonomike, politike dhe sociale pasi ato zbatohen për paqen dhe sigurinë, të mbështetur nga përpjekje serioze për zbatimin dhe përgjegjshmërinë.”

“Ne nuk mundemi, nuk duhet të mpihemi ndaj shkeljeve të tmerrshme dhe të përsëritura të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut”, vazhdoi Guterres.

Ai tha se Samiti i së Ardhmes ku do të diskutohet agjenda e re për paqen në shtator është mundësia për një ripërkushtim të tillë.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, axhenda aplikon një lente të të drejtave të njeriut për parandalimin dhe dhënien fund të dhunës në të gjitha format e saj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb