Biznesmeni i njohur njëherazi deputet i PD-së, Agron Shehaj ka reaguar pas thellimit të skandalit të kompanisë “Donwell Habberman”,  duke e cilësuar hetimin amerikan një moment kthese në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.

Shehaj shpreh edhe rezervat e tij për kompaninë e përfshirë në skandal, duke e quajtur punën e saj, të pandershme që merr privilegje dhe favore nga shteti, ndërsa shton se kryeministri, Edi Rama përmes saj po pastron paratë e krimit.

“Biznesmenët nuk kanë ngjyra, nuk janë të djathtë apo të majtë. Ka vetëm dy lloj biznesmenësh, ata që punojnë e fitojnë me konkurencë të ndershme dhe ata që fitojnë duke marrë privilegje dhe favore nga shteti. Këta të fundit grabisin popullin dhe vendin në bashkëpunim me politikanët.

E gjithë qeverisja e Edi Ramës është konspiracion i tij me biznesmenë dhe kriminelë për ta grabitur Shqipërinë.

Skandali që po thellohet i Dunëell Habberman dëshmon jo vetëm lidhjet kriminale biznes-qeveri, por edhe përpjekjen e Edi Ramës për të pastruar paratë që fiton nga ky bashkëpunim kriminal.

Hetimi i thellë, i plotë dhe pa asnjë përjashtim në Shqipëri dhe në Amerikë i kësaj afere do të jetë një moment kthesë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend. SHBA-të që po bëjnë presion për reformën në drejtësi, tani kanë në dorë të japin shembullin e tyre se si bëhet drejtësia e vërtetë”, shkruan ai.

(Balkan Web)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb