Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në  Konferencën “Partitë politike përballë alternativës së ekonomisë”, deklaroi se pushteti ekonomik dhe politik është përqendruar në duart e një njeriu të vetëm, teksa shtoi se qeveria ndërhyn në treg nëpërmjet korrupsionit dhe parave të pista.

Sipas Shehajt, Rama vendos se kush do të fitojë dhe kush do të dështojë në ekonomi, duke sulmuar edhe oligarkët, për të cilët tha se atyre Rama u ka dhënë një printer dhe printojnë para.

Sipas Shehajt, biznesi i ndershëm nëse del me 10% ka super rezultat, ndërsa oligarkët e Ramës figurojnë më shifra jo reale, 70 ose 80% fitime.

“Pushteti ekonomik dhe politik është e përqëndruar në duart e një njeriu që vendos cili do fitojë dhe cili do dështojë në ekonomi, nuk e vendos tregu. Qeveria ndërhyn nëpërmjet korrupsionit, nëpërmjet përfshirjes së parave të pista, përveç ortakëve të kryeministrit, ata që në fakt nuk bëjnë biznes por printojnë para’. U ka dhënë një printer kryeministri dhe thonë sa para’ do bëj sot.

Ai nuk është biznes, ata kanë 70 apo 80% fitime. Biznesi i ndershëm nëse kalon 10% ka bërë super rezultat. Por nëse ndërkohë ti ke planifikuar të fitosh 10% dhe të bie euro e xhiro me 20%, je me 10% ulje. Ky është një treg absolutisht jo i lirë.” – u shpreh Shehaj.

Për kreun e Mundësisë, zhvillimi i shpejtë i Shqipërisë do të vijë vetëm ditë kur të kalojmë nga kjo “karikaturë e kapitalizmit” në një kapitalizëm të vërtetë. “Vetëm ditën kur do kalojmë nga karikatura e kapitalizmit në një kapitalizëm të vërtetë, atëherë Shqipëria do zhvillohet më shpejt. Një shprehje që se përdorim dot më, edhe bufi e di se me më shumë para, mund të japim një shëndetësi e një arsim më të mirë.” – theksoi Agron Shehaj.

Kreu i Mundësia deklaroi se kur flet për ekonominë flet për të ardhmen, dhe theksoi se nga partitë e tjera nuk kishin ardhur përfaqësuesit e rëndësishëm.

“Kur më erdhi ftesa për të ardhur e për të folur për biznesin, isha shumë i lumtur. Flasim për thelbin, për të ardhmen, si e shohim Shqipërinë. U zhgënjeva shumë, shoh që nuk kanë ardhur partitë e tjera, as numri 1, as 2 apo 3, por kaq pak e rëndësishme qenka ekonomia?” – u shpreh kreu i Mundësia.

Agron Shehaj dhe partia Mundësia i kanë kthyer takimet në biznese në shtyllën kryesore të fushatës së tyre për zgjedhjet e 11 majit. Mundësia garon për herë të parë në këto zgjedhje dhe mban numrin 10.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb