Nga Shkodra, Agron Shehaj reagoi ndaj pretendimeve se votat për partitë e vogla mund të vidhen.
Shehaj tha se kush mendon se mund të prekë votat e partisë Mundësia gabon rëndë, dhe tregoi se si do të mbrohen votat.
“Nuk jemi më në vitet ’90, kur zbrazeshin kutitë. Tani, jo vetëm që çdo qendër votimi është e filmuar, por si parti kemi të drejtën të hapim edhe 100% të kutive nëse duam. Kush mendon se mund të prekë votat e Partisë Mundësia, gabon rëndë,” tha ai.
Shehaj u ndal edhe te frika që përhapet sidomos në zonat e vogla, ku qytetarët ndihen të intimiduar për të mos votuar parti të reja. “Unë nuk e kuptoj pse duhet të tremben. Merr fletën e votimit, vendos një ‘X’ te Partia Mundësia dhe kaq. Nuk ka asnjë arsye për t’u trembur.”
Ai solli shembuj të presioneve që vijnë nga pushteti lokal: “Në çdo qytet ku vendosim çadra apo shpërndajmë materiale, vjen menjëherë bashkia me policinë bashkiake. Bëjnë presion, por kur kuptojnë që nuk i trembet njeri, ikin.”
Në fund, Shehaj dha një mesazh të qartë: “Mos u mashtroni. Mos kini frikë. Vota për ndryshim nuk preket. Ju jap fjalën time.”
(BalkanWeb)