Kreu i LZHK, pjesë e koalicionit opozitar në zgjedhjet e 25 prillit, Dashamir Shehi, reagon për vaksinimin me AstraZeneca në Shqipëri, teksa shumë vende e kanë bllokuar, për shkak se ka gjasa që shkakton mpiksje gjaku.
Shehi thekson se edhe Shqipëria duhet të ndalë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, derisa autoritetet e specializuara të konfirmojnë se ajo nuk ka efekte anësore.
“Shqipëria të ndalë përdorimin e vaksinës AstraZeneca! Letonia dhe Suedia janë dy vendet e fundit që këtë martë kanë vendosur të pezullojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, deri në një vendim të autoriteteve evropiane që po analizojnë të dhënat e sigurisë së saj. Më herët përdorimin e vaksinës për shtetasit e tyre e kanë ndaluar Gjermania, Franca, Italia dhe vende të tjera evropiane pas njoftimeve për efekte të mundshme anësore. Përballë kësaj situate i bëj thirrje qeverisë shqiptarë të ndalojë përdorimin e kësaj vaksinë, deri sa autoritetet e specializuara të konfirmojnë se ajo nuk ka efekte anësore. Refuzimi në masë i arsimtarëve për të kryer këtë vaksinë është tregues i qartë i frikës që kanë njerëzit për shkak të mungesës së informacioneve për këtë vaksinë. Ndërkohë Rama duhet t’i japë fund shfaqjes butaforike të pritjes së vaksinës me delegacion qeveritar në aeroport, shfaqje që nuk ndodh as në vend e botës së tretë”, thekson Shehi.
(BalkanWeb)
