TIRANË- Demokrati Tritan Shehu, njëkohësisht i deleguari i PD-së për zgjedhjet lokale në Gjirokastër ka reaguar pas debateve të sotme në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ku Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka raportuar për ngjarjet e ndodhura në Lazarat. Shehu deklaron se më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri ka dalë publikisht kundër kultivimit të lëndëve narkotike, një qëndrim ky edhe i PD-së dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha.
Gjithashtu ai deklaron se dy vëllezërit Aliko të arrestuar për sulmin ndaj policisë, nuk kanë qenë përkrahës të PD-së por familjarët e tyre janë angazhuar politikisht në fushatat elektorale në mbështetje të një force politike kundërshtare. Shehu sqaron se dy vëllezërit Aliko nuk kanë lidhje me ish-kryetarin e komunës Dasho Aliko.
DEKLARATA E PLOTË E SHEHUT
Dy rreshta në lidhje me disa spekulime në debatin për Lazaratin, sot në Komisionin Parlamentar:
1- Unë kam qenë i deleguar i PD në Gjirokastër (pra edhe Lazarat) për zgjedhjet lokale. Unë më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri kam ngritur zërin kundër drogës, kultivimit (edhe aty), si dhe kam përshëndetur ndërhyrjet shtetërore kundër saj. Këtë e kam deklaruar qartë edhe në Lazarat, qoftë e gjatë asaj fushate elektorale. Kjo ka qenë edhe linja politike e PD. Z.Basha në takimin e tij në Lazarat e rikonfirmoi qartësisht këtë pozicion të PD.
Ai theksoi gjithashtu që lufta kundër kultivimit të drogës duhet bërë e njëjtë, sistematike dhe e plotë në të gjithë territorin e vendit.
2- Dy personat (vëllezërit) e arrestuar për krimin ndaj forcave RENEA nuk kanë qenë përkrahës se PD. Më 24 prill me vendim gjykate ata shpallën në kërkim edhe për vendosjen e tritolit në shtëpinë e babait të Kryetarit të PD së Gjirokastrës. Familjarët e afërm të tyre janë angazhuar politikisht në fushatat elektorale vetëm në mbështetje të një force politike kundërshtare aty.
3- Ish-Kryetari i Komunës së Lazaratit Z.Aliko, që nuk ka asnjë lidhje familjare me ata kriminelë, nuk është dënuar sepse organet e drejtësisë nuk kanë gjetur elementë për diçka të tillë mbi atë. Këto janë të vërtetat, me të cilat duhet të tregohemi korrekte.
(m.k/BalkanWeb)
