TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka denoncuar sot emërimin në krye të Spitalit të Lushnjës të një zonje që sipas tij është diplomuar në ekonomi agrare nuk plotëson kërkesat më minimale për të përmbushur këtë detyrë.

“Skandal në Lushnjë! Çudia dhe absurditeti i emërimit të drejtoreshës së spitalit. Një zonjë, që ka mbaruar studimet e mesme për degën “mekanike” dhe ato të larta me korrespondencë për “ekonomi agrare” emërohet në prag pensioni në atë detyrë të vështirë. Personi në fjale nuk ka asnjë kualifikim sanitar. Në disa dekada pune të saj në poste e prefekturë, nuk gjen lidhje me sistemin  shëndetësor. Unë nuk e di sa e aftë është ajo në profesionet e saj, por pa dyshim nuk plotëson kërkesat më minimale për të drejtuar një institucion shëndetësor, aq më shumë një spital”, thotë Shehu.

Ai deklaron se Spitali i Lushnjës është një qendër me traditë të pasur klinike dhe me një staf të aftë e dinjitoz dhe se një emërim i tillë jo vetëm që nuk i shërben zhvillimit të asaj qendre, por dhe kontraston tërësisht me kapacitetet teknike e njerëzorë të spitalit.

“Me të drejtë kolegët lushnjarë më shprehen indinjatën dhe ofendimin që ndjejnë me emërime të tilla drejtuesish, tërësisht jashtë çdo kriteri profesional.

Në Lushnje dhe kudo në vendin tonë tashmë ka mjekë a personel shëndetësor, të aftë për të drejtuar me kompetencë institucionet e tilla.

Jo të paktë janë dhe ata që kanë studiuar e janë diplomuar për menaxhim shëndetësor. Respektimi i këtij principi është thelbësor për zhvillimin e sistemit tonë shëndetësor dhe për të ngritur dinjitetin e personelit të tij”, deklaron  Shehu.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: