Vinicius Junior mbetet një temë shumë e nxehtë në Madrid ku as shkarkimi i Alonso-s nuk ka shuar zërat në lidhje me të ardhmen e tij. Ylli brazilian ka një kontratë të vlefshme me Real Madrid deri 2027, por në Spanjë, mediat vijojnë të flasin për një interesim të fortë nga Arabia Saudite, me sheikët që kërkojnë me çdo kusht shërbimet e tij në mënyrë që të rrisin imazhin e kampionatit, praktikisht siç bënë me Ronaldo, Benzema e shumë yje të tjerë, por ndryshe nga ata, Vinicius është në kulmin e karrierës.
Prej kohësh është folur për një interesim të Al Hilal, por për të sqaruar këtë zëra ka menduar Drejtori Sportiv i klubit saudit, Esteve Calzarda. Në një intervistë për Cadena Ser, drejtori i Al Hilal mohoi kontaktet me Vinicius, por jo dëshirën e sheikëve për ta transferuar në Arabinë Saudite:
“Në rastin tonë, ne nuk kemi pasur kontakte me Vinicius, por sa herë flasim me presidentin e Ligë Saudite, përgjigjja e tij është e njëjtë, do të bëjë gjithçka për ta marrë këtu”, u shpreh Drejtori i Al Hilal.
Kjo deklaratë e tij përforcon edhe më shumë zërat që flasin për një transferim të mundshëm të Vinicius në Arabinë Saudite, aty ku e pret një pagë sheikësh, 200 milionë euro në sezon.
