Nga: FATMIR POPJA*
ELBASAN – Dy ura të shembura mbi lumin Shkumbin kanë izoluar fshatrat Gryksh i Madh, Shezë, Trash dhe Petisht. Janë rreth 6 mijë banorë të izoluar ku vetëm 3 mijë janë në fshatin Gryksh i Madh. Ata janë mbledhur sot pranë urës së shembur për të kërkuar ndërhyrje urgjente për ta bërë këtë urë të kalueshme qoftë edhe për këmbësorët.

“Janë 3000 banorë të izoluar prej 3 ditësh. Me prishjen e kësaj ure jemi izoluar komplet. kemi fëmijët pa shkollë, të sëmurë, pleq e plaka. Nuk mund të rrimë si në ishull.”- shprehen banorët.

Administratori i Njësisë Pajovë, Luan Haka gjatë një prononcimi bëri me dije se Bashkia e Peqinit ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet e saj për të përballuar emergjencat, por e ka të pamundur të ndërhyjë për riparimin e këtyre urave të shembura.

Prurjet e shumta të lumit Shkumbin përmbytën edhe disa shtëpi në njësinë Administrative Shezë ku 10 prej familjeve janë evakuuar duke u strehuar tek të afërmit.

Në Qarkun e Elbasanit moti i keq i ditëve të fundit shkaktoi dëme të shumta edhe në bashkitë Gramsh, Elbasan dhe Librazhd.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb