Shirat e vazhdueshëm të rëna muajt e fundit kanë shkaktuar probleme edhe në fshatin Rripë të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit.
Një masiv i madh dheu është shembur në afërsi të shkollës 9 vjeçare “Veli Alla” në fshatin Rripë. Siç duket nga pamjet çarja është e konsiderueshme çka rrezikon të vazhdojë edhe më shumë nëse nuk ndërhyhet në kohë.
Banorët thonë se deri tani vetëm është pastruar dheu i cili kishte rënë në rrugë, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente për ndërtimin e një muri mbrojtës.
Gjithashtu, banorët thonë se rrëshqitja e tokës ka ardhur gjatë kohës së reshjeve të shiut të cilat e kanë mbifryrë tokën me ujë e për pasojë është krijuar shembja. Po ashtu, një tjetër problem sipas banorëve është edhe rrjedhja e vazhdueshme e ujit të shkollës e cila ndodhet vetëm pak metra larg tokës së shembur.
Ndërhyrja në këtë shembje është emergjente për banorët e Rripës pasi rrezikohet shkolla dhe rruga e fshatit. Ndërkohë, drejtues të njësisë administrative Gurrë thanë se do të ndërhyhet menjëherë për eleminimin e këtij problemi.
