TIRANE– Bashkia e Tiranës ka sqaruar aksionin e zhvilluar ditën e sotme për shembjen e tregut të rrobave të përdorura pranë spitalit nr.5 në Tiranës. Në një deklaratë për mediat, Bashkia e Tiranës thotë se ka patur ankesa të vazhdueshme nga qytetarët për problematika dhe ndotje në zonë, dhe nisur nga kjo është parë e arsyeshme ndërhyrja.

Sakaq, Bashkia e Tiranës ka ofruar edhe tre zgjidhje të mundshme për këta tregtarë, dhe llojin e produkteve që ata shesin.

“Në kuadër të politikave zhvilluese për tregjet publike, por njëkohësisht duke respektuar të gjithë parametrat e funksionimit normal të tregjeve, kushtet e tregtimit dhe mbrojtjen e konsumatorit, Bashkia e Tiranës ka kryer gjatë vitit 2016 një studim për të formalizuar dhe rregulluar tregtimin e rrobave të përdorura, duke dhënë propozimet e mëposhtme:

1. Krijimin e 3 pikave të ndryshme në Tiranë për spostimin e tregtisë së rrobave të përdorura;
2. Zonat janë a) Uzina Dinamo, b) Tregu në Kodër Kamëz, dhe c) ish Fonderia Mekanike
3. Kjo politikë synon formalizimin e tregtarëve informalë dhe lejon tregtimin e rrobave të përdoruara në kushte dhe mjedise të përshtatshme.

Tregtimi vend e pa vend i rrobave të përdorura ka qenë shpeshherë objekt i ankesave të qytetarëve të ndryshëm dhe njëkohësisht, sipas studimeve të ISHP dhe AMK-së përbën një ngarkesë të madhe mikrobiale në mjedis.

Në këtë studim është shumë i qartë dhe i hartëzuar vendodhja e tregtimit, arsyeja pse bëhet, si dhe theksohet që BT nuk po i nxjerr në rrugë tregtaret, por u ofron atyre formalizim dhe kushte tregtimi sipas standarteve të lejuara”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

(el.sp/Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb