Profesori Edmond Tupja i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me shembjen e paprecedentë të “Prestige Resort” nga forcat e IKMT të urdhëruara nga qeveria, teksa ka thënë se ky dënim haptaz i lirisë së shtypit nga kryeministri Rama i ka kujtuar atij diktaturën.

Tupja shtoi se ky resort nuk ishte i ndërtuar pa leje dhe se nuk ka “mbirë si kërpudhë”, ndërsa shtoi se  vetë kryeministri e ka vizituar atë, i cili sipas tij me këtë rast a kryer një “veprim prej të marri”.

Ai deklaroi më tej se pamjet e shembjes së “Prestige Resort” i kujtojnë imazhet e shtëpive të shkatërruara në Ukrainë, ndërsa sipas tij njerëzit në Shqipëri sipas tij po vriten çdo ditë shpirtërisht. Sipas tij kjo lë një shije shumë të keqe, ndërsa tha më pas se në këtë rast kalojmë te nënvetëdija e kryeministrit dhe te një pjesë e errët e tij.

“Këtu që nga momenti kur Rama dënon haptaz me forcë lirinë e shtypit duke i çuar njerëz për riedukim më kujtohet diktatura kur fëmijët rrugaçë i çonin te shkolla e vagabondëve. Çfarë është riedukim, të mbyllësh gojën? Pa shtyp të lirë nuk ka asgjë të lirë, t’i marrësh frymën shtypit është të vendosësh një diktaturë, apo kripto-diktaturë. Jeni të lirë të llapni, por aty ku dua unë të mos llapni e gjej mënyrën për t’iu mbyllur gojën.

Ky resort nuk u ndërtua pa leje fare, ka shkuar vetë kryeministri aty, nuk mbiu si kërpudhë. Vjen një situatë që e shtynë atë drejt një mase, një veprimi prej të marri, sepse një ndërtesë e tillë në fund të fundit pse duhej prishur. Këtu kalojmë te pjesa e nënvetëdijes së kryeministrit, është një pjesë e errët e tij. Jemi të zbuluar para kapriçove e tekave të qeveritarëve. Ruhuni prej meje se ju bëj çfarë të më dojë qejfi.

Kjo më sjell në mendje imazhet e shtëpive të shkatërruara në Ukrainë. Njësoj është. Kjo më çon në Ukrainë. Këtu vdesin dhe vriten shpirtërisht njerëzit. Është tronditës ky imazh i shembjes së këtij resorti. Pse duhet shkatërruar? Jam i bindur se në atë vend do ndërtohet diçka tjetër. Kjo lë një shije shumë të keqe, nesër mund të vijnë të na prishin shtëpitë. Këtu mbretëron arbitrariteti, unë bëj çfarë të dua me një ngjyrosje të theksuar të sadizmit. Kur je në majë të kalit dhe nuk do të zbresësh çfarë është një zog i vogël që ti shkel me këmbë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb