KORÇË- Ende asnjë lëvizje për rrugën e shembur Korçë-Ersekë, aks që nisi punimet në vitin 2021.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në News 24, gazetarja Lorena Kodra tha se në rrugë janë vendosur shirita, ndërsa firma pritet që të ndërtojë pjesën e shembur, por ende nuk ka asgjë konkrete.

“Kanë kaluar 5 ditë nga shembja e rrugës Korçë-Ersekë. Shembja ka ndodhur në pjesën e parë të lotit të dytë. Rruga është e bllokuar nga mjetet, pasi do të duhet tani një studim i ri, për të dalë në përfundime të sakta për atë që po ndodh këtu. Një pjesë e rrugës është krejtësisht e shembur dhe është bërë e rrezikshme, prandaj janë vendosur shirita në të dyja anët e rrugës, për të paralajmëruar rrezikun. Dallohen me sy të mirë plasaritje të mëdha, që e bën këtë rrugë akoma më të rrezikshme.

Në terren kanë dalë specialistë të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Është herët për të dalë në përfundime. Inertet që kanë përfunduar poshtë rrugës, janë hequr. Do të jetë vetë firma, që do të riparojë dëmet që janë shkaktuar. Mjetet qarkullojnë në rrugën e vjetër, pasi është më e sigurt për qytetarët. Pas shembjes së aksit, një avokat ka ngritur kallëzim për disa vepra penale. Rruga ka kushtuar 60 milionë euro”, -tha gazetarja Lorena Kodra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb