Një protestë paqësore e thirrur disa ditë më parë nga përfaqësues të shoqërisë civile është zhvilluar këtë të hënë në qytetin e Korçës në lidhje me situatën e krijuar pas rrëshqitjes dhe bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas, segment kyç i lidhjes mes Korçës dhe Tiranës.
Megjithatë, pjesëmarrja në këtë tubim ka qenë e ulët, me një numër të pakët qytetarësh të pranishëm. Ajo që ra në sy ishte mungesa pothuajse e plotë e bizneseve, të cilat, ndonëse konsiderohen ndër më të prekurat nga bllokimi i rrugës, thuajse nuk ishin të përfaqësuara në protestë.
Organizatorët kanë theksuar se kjo protestë synon të shërbejë si një mesazh për të gjitha institucionet përgjegjëse, pasi situata e krijuar prej gati 10 ditësh ka izoluar juglindjen e vendit, duke sjellë pasoja të menjëhershme ekonomike dhe sociale. Sipas tyre, bllokimi i aksit ka kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka rritur kostot e transportit dhe ka vështirësuar qarkullimin e mallrave.
Sektori i turizmit, transportit dhe tregtisë konsiderohet ndër më të prekurit nga kjo situatë. Devijimi i qarkullimit drejt aksit alternativ ka shtuar gjithashtu rrezikun për drejtuesit e mjeteve, për shkak të kushteve më të vështira të lëvizjes.
Mes kërkesave kryesore të renditura nga protestuesit janë përmirësimi i menjëhershëm i aksit alternativ, masa lehtësuese ekonomike për bizneset dhe qytetarët e prekur.
