Situata e rënduar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, ka çuar në urdhërimin për evakuimin emergjent të dy familjeve që banonin shumë pranë segmentit të dëmtuar rrugor.
Pas fundosjes dhe rrëshqitjes masive të tokës, autoritetet vendore, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, kanë vendosur largimin e menjëhershëm të banorëve për arsye sigurie. Shtëpitë e tyre ndodhen në afërsi të drejtpërdrejtë të zonës ku terreni ka pësuar çarje dhe lëvizje të theksuara, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shembje apo dëmtime të mëtejshme.
Sipas burimeve nga terreni, evakuimi është kryer në mënyrë të organizuar dhe familjet janë sistemuar përkohësisht në ambiente të sigurta, ndërsa pritet vlerësimi i plotë i situatës nga ekspertët gjeologë dhe inxhinierët e ndërtimit.
Ndërkohë, zona vijon të monitorohet 24 orë, pasi lëvizjet e tokës nuk janë stabilizuar plotësisht. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe të shmangin afrimin pranë segmentit të dëmtuar, deri në një njoftim të dytë.
