Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka komentuar mbi shembjet e fundit të rrugëve në juglindje të vendit, duke ngritur akuza për gabime në projektim dhe mbikëqyrje.
Sipas Toskës, në ndërtimin e rrugëve pranë lumenjve duhet respektuar parimi që aksi të jetë buzë lumit, duke ndjekur kushtet natyrore të terrenit. Ai theksoi se në rastin konkret ekzistonte një trase e vjetër e përshtatshme, por ndërhyrja e re ndryshoi strukturën.
“Rruga ekzistuese ka pasur trasenë e duhur. Çfarë kanë bërë? Nga traseja e vjetër e kanë ngritur lartësinë në kodër dhe duke bërë këtë kanë bllokuar daljen e ujërave. Ujërat nuk kanë pasur ku të rrjedhin, kanë marrë masivin e dheut dhe kanë rrëshqitur,” u shpreh Toska.
Ai shtoi se, sipas studiuesve, aksi në fjalë nuk ka pasur një projektim të mirëfilltë dhe ngriti dyshime për procedurat e ndjekura në zbatim. Toska përmendi kompaninë ANK, në pronësi të vëllezërve Kola, duke pretenduar se kjo kompani ka përfituar disa projekte të rëndësishme infrastrukturore.
Sipas tij, ANK ka kryer edhe segmentin Korçë-Ersekë, i cili u shemb dy vite më parë, dhe shtoi se çështja meriton hetim të thelluar për të zbardhur përgjegjësitë. Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe ministren Belinda Balluku, duke aluduar për lidhje klienteliste, pretendime që mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.
Toska theksoi se përgjegjësia, sipas tij, është zinxhir – duke nisur nga institucionet mbikëqyrëse deri te kompanitë zbatuese. “Kompanitë blejnë vulën e një inxhinieri që i jep firmën dhe shkojnë të ndërtojnë. Ky është një rast për hetim,” deklaroi ai.
