Deputetja e PD, Albana Vokshi, ka denoncuar situatën alarmante në Onkologjik, ku prej një muaji mungon brakiterapia, duke rrezikuar jetën e pacientëve.
Ajo e cilësoi shëndetësinë falas si një “përrallë” dhe akuzoi qeverinë për neglizhencë dhe mungesë transparence.
Vokshi theksoi se asnjë përgjegjës nuk është marrë në ndëshkim për këtë skandal shëndetësor. Ajo kërkoi hetim të plotë nga SPAK dhe reformim të tij për të rikthyer besimin te drejtësia.
Albana Vokshi: Brakiterapia ka një muaj që mungon tek Onkologjiku. Kushedi sa njerëz kanë vdekur nga mungesa e brakiterapisë, duke mos e marrë terapinë në kohë. SPAK duhet të hetonte. Por asgjë nuk ka ndryshuar, Edi Rama na vjen me një mandat të katërt me qeveri më të madhe. Nuk ka rritje buxheti për shëndetësinë. Vijon të rritet buxheti për sterilizimin, që është dosje korrupsioni e madhe. Nuk ka përgjegjës për situatën e rëndë tek Onkologjiku. Nisi një hetim i përciptë, ca mjekë që u morën në hetim dhe tani janë jashtë. Situata te Onkologjiku është skandaloze. Në QSUT kjo situatë është e rëndë, sepse mjekët nuk flasin, infermierët nuk flasin, se duan të ruajnë vendin e punës.
Kam dëgjuar se dy a tre mjekë kanë dhënë dorëheqje nga kushtet e këqija te Onkologjiku. Nuk ka çmim për shëndetin e qytetarëve. Vilma Nushi merr akoma para, për shërbim që nuk e kryen. Asgjë nuk është falas në spitalet tona. Pensionistët nuk bëjnë më analiza dot pas datës 15.
Mjekësia nuk po zgjidhet më si degë, sepse e shohin që në këtë vend nuk ka infrastrukturë për të ushtruar këtë profesion. Përgjegjësi kryesor për situatën është Edi Rama, që SPAK nuk e merr aspak në hetim. SPAK është shumë larg besimit që i dhamë ne, që kanë qytetarët shqiptarë. SPAK duhet të reformohet i tëri.
(BalkanWeb)
