Në verën e vitit 2013, Partia Demokratike sapo kishte mbyllur ciklin e dytë qeverisës të saj. Nëse herën e parë u largua nga pushteti me kosto të madhe për atë vetë dhe vendin  prej zullumeve të 26, 28 majit dhe piramidave, herën e dytë largimi qe i natyrshëm.

Kuptohet se korrupsioni dhe sidomos 21 janari e Gërdeci krijuan kënetëzim dhe velje të qeverisjes dhe rreth saj,  por gjithsesi po të mos ishte tërhequr LSI nga koalicioni, PD mund të qëndronte ende në pushtet. Por koha e kërkonte ndryshimin pavarësisht nga bilanci i një  qeverisjeje që rreshtonte dhe shumë suksese. Por siç thonë andej nga Shkodra “të keqen nuk e harron kush, të mirën po”.

Qeverisja e PD la një trashëgimi miks mes klientelizmit, reformave, korrupsionit dhe zhvillimit. Një tendencë që me ardhjen e PS në pushtet duhet të ndryshonte për më mirë po të lexoje Kurbanin dhe programin e Rilindjes version 2.0. E ndërkohë që e para nisi me Motrat Qiriazi, e dyta po mbyllet me shoqen Zeqine! Mjafton dhe kaq për të kuptuar se Rilindja ishte një shaka pa kripë që nuk kishte çfarë të rilindte pas 11 vitesh në krye të bashkisë Tiranë të mister 20%, saç e akuzonte atë kohë një nga bashkëpunëtorët e tij të sotëm. Njihej mirë se çfarë historiku kish mbi supe.

Por gjithsesi përbetimet për zhdukje të korrupsionit, legalizime e shëndetësi falas, kyçje të Lazaratit e turlilloj premtimesh bombastike, krijonin idenë se Mesia ra përmbi tokë, dhe shpëtimi qe i mundur. Por si gjithë “shpëtimtarët” e historisë edhe ai i versionit shqiptar degradoi në sharlatanizëm. Nga e thëna në të bërë, legalizimet e shëndetësia falas janë tashmë një shaka e harruar, Lazarati u shndërruar në gjithë Shqipërinë e kanabizuar, e korrupsioni i qeverisjes së PD ngjan si një vegim i bukur krahasuar me atë ç’po na shohin sytë në dosjet e hetuara nga SPAK apo denoncuar nga opozita e media.

Por ajo ç’ka bie në sy për më keq është standardi demokratik që të nxjerr mallin e PD së parë, të viteve 1996-1997. Kur sheh sesi 15 policë shkojnë të rrahin si të tërbuar deputetin Nallbati apo sesi dje në Durrës Rama urdhëroi policët të arrestonin qytetarin që protestonte para bashkisë pse i përmendi Agasin, kujton me nostalgji bëmat e Gazidedes e Shehut në 28 majin e largët të 1996. Jo nga përmasat, por për nga fenomeni. Ndërsa atëherë njerëzit rriheshin pse nuk kishte zgjedhje të lira, sot rrihen e arrestohen pse akuzojnë qeverinë për korrupsion e grabitje pronash.

Nga autokratë në kleptokratë, paskësh qenë ky progresi prej Berishës së parë tek Rama i parë. Kjo nuk e nderon fare as piktorin, as publicistin e as rilindasi Edi Rama. Përkundrazi, bën mirë të tërhiqet ca kohë diku e të kuptojë se situata i ka dalë nga duart. Por mesa duket pesha e mëkateve nuk e lejon të reflektojë e aq më pak të kthehet pas. Jo në kohë , por në veprime e qëllime. Por mesa duket është vonë, shumë vonë!

Por ndër të gjitha shenjat e “fundit të Rilindjes”, më e forta dhe vendimtarja mbase është izolimi ndërkombëtar. Megjithë përpjekjet e Ramës për të tregtuar Sazanin e Zvërnecin në këmbim të rehabilitimit të marrëdhënieve me SHBA, me të cilat nuk ka asnjë kontakt që nga vizita e Anthony Blinken dy vite më parë, duket se asgjë nuk po ndryshon. Biles gjasat janë që Rama të vijojë me akrobacitë sa në Vlorë e Katar, e sa nga Tel-Avivi në Emiratet e Bashkuara Arabe, pa asnjë rezultat. Edhe ftesën në Bordin e Paqes së Gazës që nuk e dijmë a do të funksionojë apo jo, vërtetë e shiti si personale, por ndërkohë i erdhi për shkak funksioni. Ç’ka ia shoi entuziazmin edhe vetë atij, duke i kujtuar se diplomacia me ca certifikata toke e një leje ndërtimi mund të vlejnë për bosët shqiptarë të naftës apo supermarketeve, por as sesi për shtetin më të madh në botë. Dikush e ka keqinformuar se mund të blejë e të shesë institucionet amerikane si mandatet e deputetëve në Elbasan apo Durrës. Por ja që nuk është kështu. Dhe këtë më mirë se askush mund t’ja thotë sivllau i tij në krye të PD, që rrugën e parë për në Washington po e bën veçse në ëndrra. Se në realitet vjen vërdallë sa nga bulevardi në PD, e nga Parlamenti në SPAK.

Por pafuqia për të dalë nga ngërçi ndërkombëtar që e ka zënë për faj të vet, nuk mbaron këtu. Sepse Rama harron që perëndimi mbaron në SHBA por fillon në Evropë. Në Evropën që i kujton çdo javë se rruga për Bruksel po kalon çdo ditë e më shumë nga Komisioni i Mandateve në Kuvend, aty ku duhet të dorëzojë imunitetin e Zëvendës-Kryeministres. Rrugë të mesme nuk ka! Ose me SPAK dhe Evropën e SHBA, ose me Ballukun nëpër shkretëtirat e Lindjes së Afërt.

Kjo është panorama e fitores së 11 majit. Një triumf pa lavdi, një fitore si e Pirros. E të thuash që nuk ishte I përgatitur është e vështirë, pasi nga zgjedhjet e fundit doli me fytyrë të vrerosur e humor të nxirë, ç’ka e bëri të shkarkonte mërzinë plot mllef mbi malësorët e Thethit në fillim të verës.

Izolimi i Rilindjes është tashmë një fakt sa i brendshëm po aq edhe i jashtëm. Pasi së brendshmi Rilindja është vërtetë klani i majtë që po qeveris vendin, por nuk e dijmë ende se cili do jetë reagimi i Partisë Socialiste në provën e parë të zjarrit në parlament apo dhe më tej. Kjo pasi me shumë gjasa, PS është ende më e madhe se Rilindja. E për këtë mjafton të kujtojmë pjesëmarrjen mizerabël në zgjedhjet e 9 nëntorit, aty ku i shpëtoi faqja e zezë vetëm prej katastrofës elektorale të PD. Siç thuhet rëndom për qeverisjet në Shqipëri, “një mandat është pak, dy janë shumë”. E për pasojë mandati katërt është kthyer në një tmerr, por jo të pafund. Dhe fundi duket shumë afër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb