Në këtë sezon me plot ulje e ngritje, “thembra e Akilit” për Partizanin ka qenë reparti difensiv teksa skuadra ka pësuar 25 gola në 21 ndeshje. Mirëpo, nëse i hedhim një sy statistikave, edhe sulmi nuk është se ka bërë më mirë në ekipin kryeqytetas.
Aktualisht, “Demat” kanë shënuar 17 gola në 21 ndeshje të Kategorisë Superiore, me një mesatare shënimi 0.8 gola për ndeshje me golavarazhin e përgjithshëm që për momentin është minus tetë. Shumë pak për Partizanin që këtë sezon e nisi me objektivin minimal për t’u renditur mes katër vendeve të para të klasifikimit dhe për të qenë kështu pjesë e “Final Four”.
Megjithatë, faktet janë “kokëfortë” dhe statistikat nxjerrin në pah problematikat dhe shpjegojnë pse Partizani vërtitet në mesin e tabelës duke e pasur thuajse të pamundur për të sulmuar katërshen e parë. Në këtë mes, sigurisht që edhe dëmtimet e lojtarëve si Xhuljano apo Albers Keko kanë pasur ndikimin e tyre. Megjithatë, situata mund të përmirësohet në javët e ardhshme duke qenë se drejtuesit po lëvizin në merkato.
Drejtori i ri sportiv i klubit, Agim Ibraimi ia ka dalë deri në këto momente të mbyllë me sukses dy tratativa si ajo e mesfushorit Kamer Qaka dhe sulmuesit Seku Sidibe. Ndërkohë, këto ditë janë mjaft vendimtare për përforcimet e radhës pasi në listë janë edhe dy sulmues të tjerë anësor. I pari është Laorent Shabani, i cili vjen nga Suedia ku ishte në pronësinë e Norkoping ndërsa së fundmi aktivizohej me Varbergs. Në të kaluarën, 26-vjeçari ka zhvilluar edhe dy ndeshje me fanellën e Shpresave të Shqipërisë.
Ndërkohë, i zyrtarizuar është David Fadairo, i cili ishte pjesë e Teutës në gjysmën e dytë të kampionatit dhe i bashkohet të kuqve për vijimin e këtij sezoni. Ndërkaq, në pritje për t’u zyrtarizuar është edhe Valentino Murataj, një njohje e vjetër për kryeqytetasit. Kështu, trajneri Oltijon Kërnaja do të ketë më shumë alternativa në repartin ofensiv, në përpjekje kështu edhe për të ndryshuar statistikën e lartpërmendur.
