Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë (SOA) vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të paqëndrueshme dhe se, në këto rrethana, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë paraqet një rrezik të vazhdueshëm.

Në raportin e saj vjetor, SOA hedh dritë jo vetëm mbi situatën e sigurisë në Kroaci, por edhe mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor – një rajon që, sipas saj, vazhdon të përballet me sfida të thella politike dhe të sigurisë, të lidhura ngushtë me çështjet e pazgjidhura ndërshtetërore.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-ja mbeten të përfshira në përpjekjet për stabilizim, raporti nënvizon se zgjidhja e këtyre çështjeve vazhdon të jetë e vështirë.

Kjo klimë pasigurie, sipas SOA-s, ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ec me ritme të ngadalta.

Në vlerësimin e saj për Kosovën, SOA thekson ekzistencën e grupeve që synojnë destabilizimin e situatës në veri të vendit, ku shumica e popullsisë është serbe.

Si shembull për këtë, raporti përmend sulmin e armatosur të formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.

Prishtina e ka akuzuar Beogradin për këtë sulm, ndërsa zyrtarët serbë kanë mohuar çdo përgjegjësi.

Raporti vëren se ende nuk është e qartë se si është organizuar ky formacion paraushtarak dhe si është armatosur me armë të rënda me origjinë ushtarake.

Për Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende pritet ngritja e procedurave penale kundër tij.

Raporti i SOA-s përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.

“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon SOA.

Për fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, SOA thekson vazhdimësinë e politikës së balancimit midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.

Kjo strategji përfshin edhe promovimin e konceptit të “botës serbe”, i cili synon bashkimin e serbëve në vendet fqinje – sidomos në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – nën ombrellën e unifikuar politike të Beogradit zyrtar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb