TIRANE- Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka prodhuar sërish sherr mes deputetëve ditën e sotme. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë të ditur se Asllan Dogjani i Partisë Demokratike dhe Pirro Lutaj i Partisë Socialiste janë konfliktuar me njeri-tjetrin dhe tonet e larta janë dëgjuar deri në korridorin e kryesisë së Kuvendit.
Deputeti i PS, Pirro Lutaj, tha për “News 24” se nuk ka patur përplasje fizike, por debate verbale. Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe deputeti Asllan Dogjani.
Debati mes tyre është bërë gjatë kohës që Komisioni po shqyrtonte buxhetin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Në mbledhje do të raportonte Shërbimi Informativ Shtetëror pas situatës së alarmit nga sulmet terroriste në Paris.
Incidenti është dëgjuar deri në korridor, ndërsa brenda kanë hyrë punonjësit e Gardës së Republikës për të qetësuar gjakrat. Garda është kujdesur që të largojë gazetarët që prisnin në korridor ndërsa nga brenda dëgjoheshin tonet e larta mes deputetëve.
Të dy deputetët janë larguar nga mbledhja.
Asllan Dogjani ka qenë deputet i Partisë Socialiste në vitin 2009 deri në 2013 dhe më pas u regjistrua në listat e PD-së.
Nuk është hera e parë që Komisioni i Sigurisë shërben si ‘fushë’ beteje mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Disa herë deputetët janë përplasur edhe fizikisht me njeri tjetrin.
(el.sp/d.b/BalkanWeb)