Një përleshje e dhunshme në Primrose Hill ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e një 21-vjeçari dhe plagosjen e një të riu tjetër, ndërsa pamjet filmike të incidentit po qarkullojnë në rrjetet sociale. Sipas raportimeve, disa të rinj shihen duke u grindur mes tyre në park, ndërsa kalimtarët e shumtë që kishin dalë për të shijuar motin e ngrohtë u shokuan nga pamjet e kaosit. Në një moment, njëri prej tyre duket se nxjerr një thikë dhe kërcënon një tjetër, përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë fizike.

Një video tjetër tregon ekipet mjekësore duke i dhënë ndihmë një personi të shtrirë në tokë. Policia konfirmoi se një 21-vjeçar u gjet me plagë thike në vendngjarje dhe ndërroi jetë pak më vonë.

Një i ri tjetër, rreth të 20-ave, u gjet i plagosur me thikë pranë Regent’s Park dhe u transportua në spital. Një dëshmitar i tha Daily Mail se parku ishte jashtëzakonisht i mbushur për shkak të motit të mirë dhe festave të Pashkët. “Papritur dëgjuam zhurmë pas nesh dhe shpërtheu një përleshje e madhe. Njerëzit po godisnin me grushte dhe po bërtisnin që të ndalonin. Pastaj një grup kaloi pranë nesh dhe njëri tha: ‘të kanë plagosur me thikë’. Mund të shihej gjaku në këmishën e tij”, rrëfeu ai.

Sipas dëshmitarit, shumë persona u mblodhën rreth viktimës, ndërsa reagimet e tyre tregonin se gjendja ishte e rëndë. Rreth një orë më vonë, policia shpërndau turmën dhe mbylli zonën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb