NGA AURORA KOROMANI*
Sherr mes dy grupeve të rinjsh në një lokal nate në zonën e ish-Bllokut. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e së premtes, ku disa djem fillimisht janë rrahur me njëri-tjetrin dhe më pas kanë përdorur edhe armët dhe sendet e forta. Për pasojë janë plagosur dy të rinj, njëri prej të cilëve është djali i një efektivi policie. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
KONFLIKTI
Para tri ditësh, në një lokal në rrugën “Nikolla Tupe”, ka nisur një sherr mes disa djemve, fillimisht vetëm me fjalë dhe më pas janë përdorur edhe armë zjarri, armë të ftohta dhe sende të forta. Burime policore sqarojnë se dy grupet e të rinjve kanë qenë në tavolina të ndryshme nga njëri-tjetri dhe se nuk kanë pasur fare njohje mes tyre. Nga të dhënat policore thuhet se motivi i sherrit ka qenë fare banal dhe konkretisht çdo gjë ka nisur për shkak të ngacmimit të një femre në lokal. Mësohet se në njërin prej këtyre grupeve ka qenë edhe djali i një efektivi policie, i cili pas ngjarjes ka mbetur i plagosur. Nga të dhënat policore sqarohet se fillimisht djemtë janë zënë me fjalë, por më pas tre prej të rinjve kanë nxjerrë armët e zjarrit dhe në një moment kanë qëlluar në ajër, si shenjë kërcënimi për palën tjetër. Kaq ka mjaftuar që më pas djemtë e dy grupeve rivale të rriheshin me njëri-tjetrin edhe me sende të forta, duke përdorur edhe karriget. Madje, njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar 25-vjeçarin, E.Sh. dhe A.V., 27 vjeç. Të dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 22-vjeccarin, I.D, punonjës i lokalit, pasi dyshohet se ju gjet e bllokua 1.9 gr. lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa”. Me cilësinë e provës materiale u bllokuan 1 predhë plumbi dhe 1 krehër pistolete me 3 fishekë. “Më datë 10.04.2015, në rrugën ‘Nikolla Tupe’, në lokal janë konfliktuar dy grupe të rinjsh, ku njëri nga personat ka qëlluar me armë pistolete në ajër, si dhe janë dëmtuar e ndodhen në spital shtetasit E.SH. e A.V. 25 e 27 vjeç, të cilët ndodhen në SQU, jashtë rreziku për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë, blutë vijojnë punën për kapjen e autorëve, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: