KOSOVË- Valon Ademi, biznesmeni i përfshirë në investime të lidhura me Aeroporti i Vlorës akuzohet se është përfshirë në një konflikt fizik mbrëmjen e djeshme në Prishtinë.
Mediat bëjnë me dije se Ademi ka goditur me grushta Sokol Havollin, drejtor i Investimeve Kapitale në Komuna e Prishtinës. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës, në një lokal në Prishtinë.
Pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, konflikti është përshkallëzuar në dhunë fizike. Theksohet se Valon Ademi akuzohet se e ka sulmuar dhe goditur Havollin në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas rrahjes, Sokol Havolli është paraqitur në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin. Mediat në Kosovë kanë tentuar të kontaktojnë Havollin për të marrë një qëndrim mbi incidentin, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ai nuk ka kthyer përgjigje.
Sokol Havolli ka mbajtur më herët funksione të rëndësishme publike në Kosovë, përfshirë postin e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe drejtuesit të ndërmarrjes publike “Parking Prishtina”.
Ai ka qenë gjithashtu kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, por nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës.
