Zbardhen detaje të reja për plagosjen me mjet prerës në Moravë të Korçës. Sipas informacioneve të siguruara nga policia pas një konflikti të nisur në malin e Moravës ku këta shtetas kanë në pronësi lokale dhe resorte, ka qenë si fillim djali i shtetasit të plagosur Sotiraq Misha ai që i është kanosur me armë autorit të identifikuar si Anri Reli, një prej pronarëve të një resorti me emër në këtë zonë.
Gjatë debatit Anri Reli ka vepruar për t’u vetmbrojtur duke goditur me mjet prerës Sotiraq Mishën, babain e djalit, i cili ishte prezent në vendngjarje.
Ende nuk dihet zanafilla e sherrit por dyshimet hidhen mbi motive pronësie, ndërkohë nga komunikata e policisë thuhet se Anri Reli është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme ndërsa Sotiraq Misha ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga policia po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë të subjekteve në këtë zonë.
