Kriza më e re që ka shpërthyer në PD, për hir të vërtetës nuk është as krizë, e as e re. Sepse së pari kriza quhen ato të 2017 dhe 2021 kur PD nga një parti politike degradoi në parti kryetari pavarësisht nga emri i tij. Dhe së dyti, nuk është e re sepse pikërisht ajo çfarë po debatojnë palët në distancë nga një foltore në tjetrën dhe në çdo studio televizive të mundshme, janë argumenta të konsumuara por që në fund nuk kanë prodhuar asgjë. E vetmja dialektikë serioze që po reziston në oborrin e opizitës është ajo me drejtësinë. Ku në fakt edhe aty dihet përfundimi, do fitojë drejtësia ashtu si edhe me mazhorancën.
Për të qënë koherent me zhvillimet që po përsëriten në mënyrë ciklike pa asnjë rezultat, duhet thënë se përpjekjet e para për të “shkundur” PD filluan me dështimin e 4-vjecarit të parë opozitar që u kurorëzua me humbjen e turpshme të 2017. PD e asokohe theu cdo paradigëm të deriatëhershme të partive që binin nga pushteti për të humbur akoma më keq në opozitë. Të dyja grupimet që u rrebeluan ndaj leadershipit të partisë, ata që kërkonin zgjedhje brenda 6 muajve në parti dhe largimin e parevokueshmë të Bashës, si dhe grupimi tjetër që kërkonte dorëheqjen e Bashës dhe reformimin, statutor u nisën nga disa premisa demokratike. Llogaridhënie, mbajtje përgjegjësie, ristrukturim dhe riformatim politik e për rrjedhojë bashkim që mund të ngrihej vecse mbi këto parime. Dhe reagimi aktiv i Bashës dhe pasiv i Berishës ishte vetëm një: JO! Kjo situatë e ndezur u menaxhua me parimin “shtyje ta shtyjmë” deri në hatanë akoma më të madhe të 2019, kur leadershipi i PD “hodhi në erë” veten bashkë me opozitën përmes djegies së mandative dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale. Dhe dëmi qe aq i madh saqë dhe shqetësimi i mendjeve të ftohta brenda PD dhe sidomos qarqeve diplomatike perëndimore se këto veprime synonin destabilizim të vendit për llogari të vendeve jo-miqësore, kaloi në plan të dytë.
Por ja që PD si një dinosaur 29-vjeçar i plagosur rëndë gjithsesi, krijoi iluzionin e ringritjes në zgjedhjet parlamentare të 2021. Përmes disa lëvizjeve gënjeshtare si komisioni Ruli, u duk se mund të garonte seriozisht për pushtet. Por rezultati ishte sërish i njëjti. Humbje por këtë herë me dinjitet!!! Por vetë PD harroi se të humbësh me dinjitet herën e dytë në opozitë, në fakt ishte dera e hapur në rrugën e vetëshkatërrimit pa dinjitet. Dhe vulën e vuri shpallja non-grata e Berishës e piruetat e Bashës dhe lavjerrësve që një javë pinin kafe ekspres tek Basha e një jave më pas kafe turke te Berisha! Kjo histori zgjati deri në zgjedhjet lokale të 11 majit 2023, aty ku seria e radhës së telenovelës “një parti që po vret veten” ndau dy kampet hipokrite qartazi. O me Berishën për një vend pune, ose me Bashën për një PD pa vënd pune të sigurt por me një farë karte morale në xhep. Ajo farë karte morale vlente pasi përballë u qëndronte krahu i Berishës që e grisën kartën e vetë që kur Berisha u rizgjodh pa garë kryetar i PD, dhe ekipet drejtuese që medemek do shpëtonin opozitën, ishin të njëjtët që i kishin vënë kazmën me sukses partisë nga 2013 deri në 2023. Për plotë 10 vjet. Jo pak kohë e mundim!
Ky parashtrim nuk shërben veç për histori në vetvete apo për efekt kronike për të mbushur rreshtat e analizës. Por është historiku i vetë krizës që tashmë është ezauruar e po rishfaqet në formën e vet më të zbehtë dhe jo shumë të vlefshme. Sepse termat e përplasjes së sotme mes Berishës e “puçistëve’ siç i quajnë grupin që drejtojnë Salianji me Alimehmetin, janë po të njëjtat. Vdekje e nervit opozitar si qëndresë, vizion e motivim. Jo të vetë protagonistëve, por të popullit opozitar që ka boshatisur sheshet përfundimisht pas provave gjenerale të 2017 dhe 2021. Por ashtu siç ndodh rëndom ne epilogët tragjikë dhe komikë njëkohësisht, paradokset nuk mungojnë. Sepse ndërkohë që sheshi para Kryeministrisë është boshatisur si seksioni i tifozëve Dinamos në stadiumet shqiptare, ku mezi numëron 80 tifozë, ashtu dhe me PD në tre protesta nuk dalin në shesh as anëtarët e Këshillit Kombëtar. Se sa për kryetarët e degëve në rrethe që as e marrin mundimin të nisen për Tiranë, i kanë harxhuar tallonat e naftës me kohë e me vakt. Por, paradoksalisht sallat e foltoreve të Salianjit e Alimehmetit në njërën anë e të Berishës në anën tjetër kanë qënë të mbushura. Dhe kjo paradoksalishte e ka një arsye. Që është dhe thelbi i krizës. Profesionistë ka, por s’ka punë! Që domethënë se populli opozitar nuk ka avulluar, por thjesht nuk beson më aspak tek leadershipi i partisë. Dhe si Berisha ashtu dhe “puçistët” e kanë kuptuar situatën, ndaj kanë zbritur në bazën e PD që i pret ca me duar bosh e ca me tabaka me një gotë ujë. Sepse vetëm të verbrit nuk e shohin që të humbësh bashkinë Vlorë me një PS që mori vetëm 7% të votave, nuk është veçse dramë për PS por tragjedi për PD.
Ndaj dhe palët që po kërleshen përballë një audience që veçse dëgjon por nuk duartroket, kanë zgjedhur një strategji iluzive. Ashtu si marinarët e një anije që po mbytet, kanë lëshuar nga një varkë shpëtimi anash saj me premtimin se do i nxjerrin udhetarët në breg. Por duke harruar se e vetmja zgjidhje që jep bregu më i afërt, nuk është mbërritja në destinacion, por një mundësi që të ndërtojnë një anije të re për tu rinisur. Dhe që kjo anije të rindërtohet, fillon me kushtin e zgjidhjes së problemeve të vjetra që po risillen si të reja, duke nisur që me dorëheqjen e gjithë strukturës drejtuese të PD si shenjë mirëbesimi ndaj njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha ndaj anëtarësisë dhe opinionit publik. Situata tragjike e sheshit bosh e foltoreve plot kërkon vetëm zgjidhje radikale. Përndryshe do kalojnë javë e muaj me sulme e kundërsulme dhe të dyja palët do sillen vërdallë si kali në lëmë siç kanë bërë të njëjtët antagonistë por me emra të tjerë këtu e 8 vite radhazi. Ku ishim? Askund! Ku po shkojmë? Në asnjë vend!
