Pas konflikteve të tyre të fundit në publik Friedrich Merz dhe Donald Trump zhvilluan sërish një bisedë telefonike. Merz shkroi në platformën X se biseda kishte qenë “e mirë” dhe se të dy kishin ranë dakord se Irani duhet të rikthehet në tryezën e negociatave. Gjithashtu, sipas Trumpit dhe Merzit ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur dhe Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore. Sipas kancelarit Merz tema të tjera të bisedës telefonike me presidentin amerikan ishin gjetja e një zgjidhjeje paqësore për Ukrainën si dhesamiti i NATO-s në Ankara që do të zhhvillohet në fillim të qershorit. “SHBA-ja dhe Gjermania janë partnerë të fortë në një NATO të fortë”, theksoi më tej Friedrich Merz.
Gjatë telefonatës Donald Trump ndodhej në avion në fluturimin e kthimit nga Kina. Atje ai u takua me presidentin kinez Xi Jinping. Edhe në ato bisedime temë kryesore ishte Irani. Deri tani Trump nuk është shprehur publikisht për bisedën me Merzin.
Marrëdhënie e acaruar
Marrëdhënia mes Friedrich Merz dhe Donald Trump ka qenë për një kohë të gjatë mjaft e mirë. Megjithatë javët e fundit Trump reagoi ashpër ndaj disa deklaratave të kancelarit Merz, i cili gjatë një aktiviteti me nxënës në Sauerland kishte thënë se SHBA-ja duket se nuk ka një strategji të qartë në luftën me Iranin. Duke iu referuar negociatave të bllokuara, ai tha gjithashtu se “një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja shtetërore iraniane”.
Pas kësaj Trumpi e akuzoi Merzin se nuk e di për çfarë po flet. Ai kërcënoi gjithashtu se do të shqyrtonte tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania. Në fillim të majit qeveria amerikane njoftoi tërheqjen e një pjese të trupave të stacionuara në Gjermani. Ministria e Mbrojtjes e justifikoi vendimin me një rishikim të detajuar të stacionimit të forcave amerikane në Evropë.
Trumpi e ka akuzuar vazhdimisht Gjermaninë si dhe partnerë të tjerë të NATO-s për mungesë mbështetjeje në konfliktin me Iranin dhe ka bërë të qartë disa herë se kishte pritur më shumë nga NATO. Sipas tij NATO është një aleancë mbrojtëse, e cila duhet të reagojë në rast se një nga shtetet anëtare sulmohet./DW
