Gjithnjë e më shumë vende po ndalojnë rrjetet sociale për fëmijët. Por argumentet për ndalime janë të dobëta dhe përfitimet mbeten të pasigurta, shkruan The Economist
“Shfleton pa menduar dhe humbet ndjesinë e kohës”, pranon Ramón, një 15-vjeçar spanjoll, për zakonet e tij në rrjetet sociale. “Sheh vajza që seksualizohen, aksidente makinash, gjëra shumë të dhunshme”, vazhdon ai. “Të gjithë ata që njoh shohin këtë lloj përmbajtjeje”.
Në shkollë, në veçanti, ai mendon se përdorimi i rrjeteve sociale “të ngatërron mendjen dhe vëmendjen”.
Megjithatë, plani i qeverisë spanjolle për t’u ndaluar fëmijëve nën 16 vjeç përdorimin e rrjeteve sociale, i shpallur në fillim të shkurtit, nuk e bind Ramón. Bashkëmoshatarët e tij do të gjenin lehtësisht mënyra për ta anashkaluar, mendon ai.
Edhe nëna e tij bie dakord. Duke qenë se fëmijët do të jenë në rrjetet sociale në një mënyrë apo në një tjetër, ajo do të parapëlqente që qeveria të përpiqej të frenonte efektet më të dëmshme përmes rregullimit: “Një ndalim i përgjithshëm tingëllon i fortë, por në realitet i shtyn adoleshentët drejt përdorimit më të rrezikshëm dhe më të fshehtë.”
Nuk është vetëm qeveria spanjolle që shqetësohet për fëmijët dhe rrjetet sociale. Australia ndaloi llogaritë në rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç në dhjetor.
Dhoma e Dytë e Parlamentit britanik votoi për kufizime të ngjashme në janar, ashtu si edhe Dhoma e Ulët e Francës. Austria, Republika Çeke, Danimarka, Greqia, Indonezia, Malajzia dhe Norvegjia, ndër të tjera, po shqyrtojnë ndalime.
Brazili do të kërkojë verifikim moshe në aplikacionet sociale duke nisur nga muaji i ardhshëm.
Kina, e cila më parë kishte vendosur kufizime orari për lojërat elektronike të të rinjve, prezantoi kufizime opsionale të kohës para ekranit për fëmijët në rrjetet sociale në vitin 2019. Disa shtete në Amerikë kanë kufizuar aksesin për adoleshentët më të rinj; të tjerat po rregullojnë në mënyra të ndryshme.
Kalifornia së shpejti do të kufizojë algoritmet e rrjedhës së përmbajtjes për të miturit. Gjykatat amerikane janë gjithashtu të zëna: më 9 shkurt nisën argumentet në dy procese gjyqësore historike kundër Meta-s dhe YouTube për varësinë e supozuar që krijojnë aplikacionet e tyre, si dhe kundër Meta-s për pyetjen nëse platformat e saj bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur fëmijët nga “grabitqarët” online.
Goditje e menjëhershme
Kjo valë kufizimesh ligjore do të shënojë një ndryshim të madh në jetën e adoleshentëve, të cilët kalojnë mesatarisht gati pesë orë në ditë në aplikacione sociale në Amerikë, për shembull, dhe i përdorin ato për gjithçka, nga krijimi i marrëdhënieve deri te detyrat e shkollës.
Ajo rrezikon gjithashtu të tronditë një industri që gjeneron qindra miliarda dollarë në vit nga reklamat. Por zbatimi i rregullave të reja, siç parashikojnë Ramón dhe nëna e tij, do të jetë më i vështirë nga sa imagjinojnë mbështetësit e tyre. Tashmë po bëhen të dukshme disa pasoja të paqëllimshme.
Për vite me radhë, mosha minimale për shumicën e platformave sociale ka qenë 13 vjeç. Ky kufi u miratua gjerësisht pasi Amerika miratoi COPPA-n, një ligj për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve online, në vitin 1998.
Ai shpesh shpërfillet nga përdoruesit dhe pothuajse nuk zbatohet nga kompanitë e rrjeteve sociale, shumica e të cilave pyesin anëtarët e rinj nëse janë mjaftueshëm të rritur dhe kryesisht u besojnë fjalëve të tyre. Edhe pse platformat këmbëngulin se i largojnë përdoruesit nën moshë, duket se bëjnë një punë jashtëzakonisht të dobët.
Sondazhet e rregullatorit britanik të teknologjisë, Ofcom, tregojnë se ndër fëmijët 10-12 vjeç, mbi gjysma përdorin Snapchat, më shumë se 60% TikTok dhe mbi 70% WhatsApp. Të tre aplikacionet kanë një moshë minimale zyrtare 13 vjeç.
Qeveritë që dikur mbyllnin sytë ndaj praktikave të tilla tani kanë vendosur se rrjetet sociale “po u bëjnë dëm social fëmijëve tanë”, siç shprehet Anthony Albanese, kryeministri i Australisë. Shqetësimi më urgjent është se aplikacionet e rrjeteve sociale shkaktojnë depresion dhe ua bëjnë më të lehtë komunikimin me të miturit abuzuesve online, duke çuar në raste ekstreme në vetëvrasje ose abuzim.
Libra si “The Anxious Generation” i Jonathan Haidt kanë bindur shumë njerëz se telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale po e riformatojnë fëmijërinë në mënyrë të dëmshme. Aplikacionet sociale u rrëmbejnë një kohë të gjatë fëmijëve, të cilën shumë prindër do të donin ta shihnin të përdorur ndryshe.
Disa studiues kanë propozuar një gjendje të re mjekësore të quajtur “çrregullimi i përdorimit të rrjeteve sociale”, e modeluar sipas diagnozave ekzistuese për varësinë nga lojërat e fatit.
Kriteret e sugjeruara përfshijnë humbjen e kontrollit mbi dëshirën për t’i përdorur aplikacionet, shqetësim të vazhdueshëm për përdorimin dhe neglizhimin e funksioneve thelbësore (gjumi, kujdesi personal dhe kontakti me miqtë dhe familjen) si dhe detyrimeve (detyrat e shtëpisë dhe takimet).
Një studim i 11-15-vjeçarëve në 27 vende europiane dhe në Kanada, bazuar në të dhëna sondazhi nga vitet 2017-18, gjeti një prevalencë mesatare prej 7% të kësaj varësie problematike, duke variuar nga 3% në Holandë në 14% në Spanjë.
Studimet sugjerojnë se rrjetet sociale po i përkeqësojnë gjërat për fëmijët që janë më të cenueshëm. Shumicës së fëmijëve që bullizohen online, u ndodh kjo gjë edhe në jetën reale; bullizuesit shpesh janë të njëjtët në të dyja mjediset. Një studim me të rinj 17-25 vjeç që kishin vështirësi me shëndetin mendor, zbuloi se largimi nga rrjetet sociale për tre javë solli një përmirësim të vogël të mirëqenies së tyre.
Një rishikim i fundit i studimeve, i udhëhequr nga Amy Orben nga Universiteti i Kembrixhit, gjeti prova të qëndrueshme për një lidhje të vogël midis kohës së kaluar në rrjetet sociale dhe shfaqjes së problemeve të shëndetit mendor, si depresioni dhe sjellja antisociale.
Por shumica e studimeve mbështeten në raportimet e vetë subjekteve për përdorimin e tyre të rrjeteve sociale, të cilat priren të jenë jo të sakta (është më mirë të instalohen gjurmues automatikë në pajisje). Për këtë arsye, shumë studiues i vënë në dyshim rezultatet.
Pasojat
Mbi të gjitha, studiuesit mendojnë se koha që fëmijët kalojnë në rrjetet sociale mund të mos jetë veçanërisht e rëndësishme për shëndetin mendor.
Ajo që ka shumë më tepër rëndësi është çfarë bëjnë në aplikacione (a po bisedojnë kryesisht me miqtë, për shembull?), konteksti (a po i përdorin platformat sociale në mes të natës?) dhe çfarë përmbajtjeje u shfaqin algoritmet e aplikacioneve.
Zgjidhja e këtij kompleksiteti kërkon qasje në të dhëna të detajuara në nivel përdoruesi individual, diçka që kompanitë teknologjike rrallë e zbulojnë.
Ndërsa aplikacionet e rrjeteve sociale evoluojnë me shpejtësi, me të gjitha llojet e veçorive të reja dhe algoritme të përmirësuara me IA, kërkimi shkencor ka vështirësi të mbajë hapin. Sigurimi i financimit për një studim rigoroz dhe fillimi i tij mund të zgjasë me vite.
“TikTok u bë shumë popullor tek adoleshentët në dy-tre vitet e fundit”, thotë Victoria Goodyear nga Universiteti i Birminghamit. “Fusha e kërkimit sapo ka filluar të arrijë këtë trend.”/Monitor
