TIRANE– Ministria e Bujqësisë dhe Inspektorati Shtetëror i Ujërave i ka vendosur 5 milionë lekë gjobë kompanisë “Gjikuria”, pasi shfrytëzonte inertet pa leje në bregdetin e Palasë, ndërsa shkarkimet i kryente në det dhe mbushte bregun e detit për të përfituar sipërfaqe toke. Sipas ISHU, kjo masë penalizuese ka ardhur pasi kompania po dëmton bregdetin në Palasë.
“Që në ditët e para të vitit të ri 2017, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe strukturat e saj, kanë nisur punën për kryerjen e funksioneve të tyre, duke mos lejuar që të abuzojnë as shkelësit e ligjit.
Konkretisht sot, Inspektorati Shtetëror i Ujërave, pas një denoncimi të marrë për dëmet që po i shkaktohen bregut të detit, tek Delta e Përroit të Thatë në Palasë, rrethi Vlorë, ka dërguar menjëherë ekspertët e tij, ku kanë konstatuar nga afër problematikën dhe ndërhyrjet e paligjshme. Për këtë arsye, ISHU ka gjobitur me 5 milionë lekë kompaninë kontraktore për ndërtimin e një fshati turistik, “Gjikuria sh.p.k”; 2 milionë për shfrytëzim inertesh, 1 milion për shkarkimet dhe 2 milionë për veprimtari të paligjshme në brigje.
Nga konstatimi i inspektorëve të Inspektoriatit Shtetëror të Ujrave, rezultoi se, kompania “Gjikuria”, merre pa asnjë leje shfrytëzimi inerte në breg të detit dhe i përdorte ato për ndërtim të fshatit turistik; nyja e përpunimit të inerteve ishte ndërtuar pranë bregut dhe të gjitha shkarkimet derdheshin në det, si dhe shoqëria në fjalë mbushte me inerte e mbetje të tjera tokën në breg të detit, për të përfituar sipërfaqe, në kundërshtim me ligjin”- thuhet në njoftimin e Ministrise së Bujqësisë.
(d.d/BalkanWeb)
