Sipas një analize të bërë nga “La Gazzetta dello Sport” në bashkëpunim me platformën “Chain On”, Janik Siner do të përfitojë 34 milionë euro nga sponsorizimet në vitin 2025, dy milionë më shumë se rivali i tij kryesor dhe numri një aktual i botës, Karlos Alkaraz.

Siner humbi vendin e parë në renditjen botërore pas 65 javësh, teksa Alkaraz fitoi US Open dhe mori “hak” për humbjen e tij në Uimbëlldon. Por ndryshe nga renditja ATP, në fushën e të ardhurave nga sponsorët, Siner është përpara. Çelësi i kësaj epërsie është një marrëveshje e re që Siner ka nënshkruar me “Explora Journeys”, një markë luksoze udhëtimesh detare, e cila pritet t’i sjellë atij mes 3 dhe 5 milionë euro shtesë.

Me këtë marrëveshje, ai arrin në 14 partneritete të sponsorizuara, krahasuar me 10 të Alkarazit. Edhe pse Alkaraz ka një kontratë më të madhe me “Nike” (18 milionë euro kundrejt 16 milionëve të Siner), përfitimet totale nga sponsorët janë më të larta për italianin falë numrit më të madh të bashkëpunimeve jashtë fushës teknike (veshje dhe pajisje sportive).

Ndërkohë, Alkaraz dominon në rrjete sociale: ai ka 7.8 milionë ndjekës në “Instagram”, krahasuar me 4.8 milionë të Sinerit. Gjithsesi, Siner po zgjerohet edhe në platforma të tjera si “YouTube”, ku ka hapur një kanal personal që dokumenton përgatitjet dhe jetën e tij jashtë fushës, duke arritur mbi 2.2 milionë shikime me vetëm katër video.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb