Me Arsenal të shkëputur i vetëm në krye, plus 6 pikë, Man.City përpiqet të mbajë të “gjallë” garën për titull në Premier League. “Qytetarët” reagojnë shpejt, rikthen te fitorja duke triumfuar 3-1 përballë Bournemouth. Erling Haaland shpërthen me një “dopietë” duke vërtetuar se është ai lideri absolut i këtij ekipi. Biondi norvegjez nuk ka rivalë në ishull në garën për “Këpucën e Artë”, me këtë dygolësh ngjitet në kuotën e 13 finalizime në Premier League, 20 gola në total në 17 ndeshje këtë sezon.

Haaland realizoi golin e parë në minutën e 17-të, ku u shkëput shpejt që nga mesi i fushës për të sjellë festë në “Etihad”. Bournemoth reagoi, me miqtë që barazuan shifrat në minutën e 25-të me Adams. Ashtu si në golin e parë, Haaland mori një tjetër asist nga Cherki, thuajse në të njëjtën formë, biondi kaloi edhe portierin duke rikthyer Man.City në avantazh në minutën e 35-të.

Në fraksionin e dytë, në minutën e 60-të ishte O’Reilly që realizoi golin e tretë dhe të qetësisë për ekipin e Guardiola-s, një fitore e rëndësishme që i jep vendin e dytë në Premier League.

Pas suksesit kundër Bournemouth, Haaland u shfaq i lumtur, jo vetëm për dygolëshin e tij: “Ishte një fitore e rëndësishme për ne. Është bukur të rikthehesh pas një humbje të shëmtuar. U përpoqa të ndihmoja skuadrën duke bërë punën time. Është bukur të fitosh, por tani kemi përpara dy ndeshje të rëndësishme, duhet të jemi të përqendruar”, u shpreh Haaland.

Man.City kap vendin e dytë në Premier League, në kuotën e 19-të pikëve, një më shumë se Liverpool, me të kuqtë që u rikthyen te fitorja duke triumfuar 2-0 përballë Aston Villa.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb