Më shumë se 2,000 fëmijë janë të pastrehë në Francë për shkak të mungesës së akomodimit emergjent, një numër që është rritur ndjeshëm vitet e fundit, thonë organizatat e ndihmës, të cilat bëjnë thirrje për ndërhyrjen e shtetit.
Numri i fëmijëve të pastrehë në vend është rritur me 6% krahasuar me vitin 2024 dhe me 30% krahasuar me vitin 2022, sipas një barometri të publikuar të enjten nga UNICEF France dhe Fédération des acteurs de la solidarité (FAS).
Rritja e numrit të fëmijëve të pastrehë shpjegohet nga shumë faktorë, sipas organizatave, duke filluar me ngopjen e mekanizmit të ofrimit të strehimit të përkohshëm të kombinuar me krizën e strehimit .
Të paktën 400,000 të mitur nuk kanë një shtëpi të përhershme në Bashkimin Evropian dhe Britani dhe miliona të tjerë jetojnë në strehim të papërshtatshëm, sipas vlerësimeve të publikuara gjithashtu sot nga Federata Evropiane e Organizatave që Punojnë me Personat e Pastrehë (Fédération européenne des associations travaillant avec des personnes sans-abri).
Sipas UNICEF-it, situata është veçanërisht shqetësuese në Britani, Gjermani dhe Francë.
Raportet zyrtare kanë treguar së fundmi se shteti francez nuk po e përmbush misionin e tij në lidhje me politikën e strehimit për të pastrehët dhe azilkërkuesit.
Ndër të tjera, një raport zyrtar i publikuar në korrik theksoi se programi i strehimit të përkohshëm në Francë po vuan, ndër të tjera, nga mungesa kronike e fondeve.
Në përgjigje të një pyetjeje nga Agence France-Presse, Ministria e Strehimit siguroi se numri i vendeve në strukturat e strehimit ishte stabilizuar në vitin 2021 “pavarësisht kuadrit të kufizuar të financimit”.
(BalkanWeb)
