Egnatia synon të ruajë ritmin pozitiv të rezultateve në këtë javë të kampionatit, duke kërkuar një tjetër fitore përballë Dinamos. Skuadra rrogozhinase ndodhet në formë të mirë dhe ka treguar stabilitet në lojë, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese.

Përballja me Dinamon shihet si një test i rëndësishëm për të konfirmuar vazhdimësinë e paraqitjeve të mira. Rivalët kryeqytetas kanë potencial dhe përvojë, por Egnatia mbetet favorite për shkak të ecurisë dhe efikasitetit që ka treguar në javët e fundit. Ndeshja do të zhvillohet në Rrogozhinë, ku faktori fushë pritet të ketë ndikimin e vet. Trajneri dhe stafi teknik kërkojnë përqendrim maksimal dhe menaxhim të saktë të lojës, me qëllim që skuadra të arrijë një tjetër rezultat pozitiv dhe të mbajë ritmin në zonën e sipërme të renditjes.

BILANCI – Bilanci i përballjeve të fundit mes Egnatias dhe Dinamos flet qartë në favor të skuadrës rrogozhinase. Në 12 ndeshjet e fundit në Superiore, që nga momenti kur Egnatia dhe Dinamo u ngjitën në elitë, kampionët kanë regjistruar 6 fitore, 5 barazime dhe vetëm 1 humbje ndaj bluve të kryeqytetit. Ky raport tregon qartë epërsinë e ekipit të Edlir Tetovës në përballjet direkte, si dhe stabilitetin që skuadra ka arritur në këto sezone.

Megjithatë, në kujtesën e rrogozhinasve mbetet ende e freskët finalja e Kupës së Shqipërisë e edicionit të kaluar, ku Dinamo triumfoi pas gjuajtjeve të penalltive. Ajo humbje i mohoi Egnatias një tjetër trofe historik, duke i dhënë sfidës së radhës një domethënie të veçantë në aspektin sportiv. Për këtë arsye, takimi i radhës është i pari që nga ajo mbrëmje dhe ka më shumë se vlera thjesht për tri pikë. Egnatia kërkon të konfirmojë epërsinë e saj në kampionat dhe të rikthejë “borxhin” ndaj Dinamos.

DUEL PANKINASH – Përballja mes Egnatias dhe Dinamos merr një vlerë të veçantë edhe për shkak të duelit në pankinë, mes Ilir Dajës dhe Edlir Tetovës. Dy trajnerët përfaqësojnë dy breza të ndryshëm, por me një lidhje të fortë profesionale e njerëzore, që nis që në kohën kur Daja ishte trajner i Elbasanit dhe Tetova një nga lojtarët e tij. Në sezonin historik 2005–2006, ata arritën së bashku majën e futbollit shqiptar, duke fituar titullin kampion me verdheblutë.

Tani, pas shumë vitesh, fati i ka vendosur në kahe të kundërta, në pankinat e dy skuadrave që kërkojnë vazhdimisht rezultat dhe stabilitet. Në aspektin statistikor, bilanci i deritanishëm është në favor të Ilir Dajës. Në pesë përballjet mes tyre si trajnerë, ai ka regjistruar tre fitore, një barazim dhe një humbje ndaj Tetovës. Kjo përballje, përtej rezultatit, është një test karakteri dhe strategjie mes “profesorit” dhe “nxënësit”, dy trajnerëve që kanë dhënë shumë për futbollin shqiptar dhe që vijojnë të jenë protagonistë në arenën vendase.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb