Nga Evarist Beqiri

Po sjellim sot për lexuesin përshkrimin e një udhëtari të huaj për Shqipërinë e shekullit të 19-të. Shkrimi i para 148 viteve është në gjuhën frënge. Ky shkrim botohet për herë të parë në Shqipëri. Ndër të tjera shkrimi flet për Ismail Qemalin dhe influencën e madhe që familja “Vlora” kishte në vend. Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, Ismail Qemali ishte vetëm 32 vjeç. Ai sapo ishte ftuar në Kostandinopojë nga mentori i tij Mid’hat Pasha, për të shërbyer si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme.

Autori e përshkruan shtëpinë e Ismail Beut si më të bukurën e Vlorës. Në shkrim dallohet habia e madhe e autorit, kur gjen shijen e shoqërisë europiane në selamllëkun e familjes Vlora. Mjekun francez, inxhinjerin parizien të minierave të asfaltit dhe një shtetas gjerman të vendosur me banim aty prej 30 vitesh. Shkrimi thekson rolin e familjeve fisnike shqiptare në ruajtjen e frymës kombëtare. Në mbyllje përshkruhet momenti i largimit të Ismail Qemalit nga Vlora. Autori përshkruan përshëndetjen e heshtur që i bëjnë zotërisë së tyre nga bregu i detit kavalierët shqiptarë me mantele të gjata. Në vitin 1877, gazetari Alfred Gillieron botoi librin e tij me përshtypjet nga udhëtimi edhe në Vlorë. Ai shkruan se një inxhinjer francez punonte në minierën e bitumit në Selenicë, e cila shfrytëzohej nga një shoqëri franceze e lidhur me Ismail Qemal Bej Vlorën dhe Karapanosin e Kostandinopojës.

Evarist2
Evarist2

Shkrimi vazhdon më tej duke theksuar se Ismail Qemali kishte studiuar në Francë. Ismail Qemali kreu një vizitë në Evropë, e cila zgjati nga shtatori 1875 deri në maj 1876, për të studiuar nga afër demokracinë lokale, administratën dhe financat publike. Mid’hat Pasha, Ismail Qemali dhe fraksioni i tyre liberal tentuan të vendosnin një rend kushtetues liberal në Perandorinë Osmane. Asokohe, u hartua edhe një reformë administrative, që parashikonte në veçanti krijimin e një vilajeti të vetëm që do të përfshinte të gjitha trojet shqiptare, guvernator i së cilit do të ishte vetë Ismail  Qemali. Këto përpjekje dështuan dhe Mid’had Pasha me Ismail Qemalin u syrgjynosën në vitin 1877.

Interesante është pikëpamja e studiueses turke Esma Karadag, lidhur me fillesat e angazhimit të Ismail Qemalit në lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila nuk është cekur aspak nga historiografia jonë. Sipas saj, Ismail Qemali ishte një nga ideatorët dhe udhëheqësit e “Lidhjes së Prizrenit” të vitit 1878, menjëherë pas luftës ruso-turke. Kjo lëvizje u përkrah fillimisht nga Porta e Lartë, por pas kërkesës për autonomi politike u shtyp me dhunë. Dhe arsyeja kryesore e internimit të Ismail Qemalit në vitet 1877-1884, ishte pikërisht pjesëmarrja e tij aktive në lëvizjen kombëtare shqiptare. Fillimisht, mendohej se lideri i xhonturqve do të ishte Ismail Qemali, por fakti që ai po punonte më tepër për çështjen shqiptare binte në kundërshtim me kredon e xhonturqve.

Më pas, ai u mbajt nga sulltani qëllimisht larg Stambollit, për të qenë larg lëvizjes kombëtare shqiptare. Ismail Qemal Vlora kishte në qëndrimet dhe veprimet e tij karakteristikat e liderit diplomatik, strategjik dhe taktik. Por, atij nuk i mungonte as aftësia logjistike për të administruar me efektshmëri të mirat që kishte në dispozicion. Ismail Qemali kishte inteligjencën taktike, e cila nënkupton aftësitë e tij për të manovruar në arenë, aty ku zhvillohen ngjarjet konkrete. Inteligjenca taktike është më e matshme dhe më e prekshme. Ndërsa aftësitë diplomatike dhe strategjike janë abstrakte. Zakonisht ato zhvillohen në prapaskenë dhe kanë të bëjnë me ndërveprimin ndërpersonal në sisteme komplekse. Providenca e kombinuar me aftësitë e tij të jashtëzakonshme bënë që Ismail Qemali të fitonte mirënjohjen e përjetshme të popullit të tij.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: