Nga: AURORA KOROMANI*TIRANE-Mbajtja nën vëzhgim e elementëve ekstremistë si dhe lufta kundër celulave terroriste ka detyruar Shërbimin Informativ Shtetëror që të rekrutojë agjentë terreni për zonat jashtë kryeqytetit. Pjesë e këtyre rekrutimeve do të jenë edhe ata inspektorë të cilët janë njohës të mirë të gjuhëve të rralla. Ky është njoftimi më i ri i publikuar në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ Shtetëror, njoftim që në fund mban emrin e kreut të këtij institucioni, Visho Ajazi Lika.
Nevojat
Burime brenda strukturave të SHISH sqarojnë se nevoja për rekrutimin e agjentëve të rinj ka ardhur pasi në zonat jashtë Tiranës ka dyshime për shtim të elementëve të ekstremizmit fetar dhe për krijimin e celulave terroriste, dhe kjo është arsyeja se përse po kërkohen agjentët që njohin gjuhët e rralla. Por, edhe pse njoftimi është publikuar në faqen e SHISH, ende nuk ka të dhëna se sa do të jetë numri i personave që do të rekrutohen. Por, nga burime mendohet se numri i tyre do të jenë afro 50 persona dhe aplikimi për këtë pozicion në SHISH është i hapur deri një ditë pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.
Kriteret
Të gjithë personat që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e strukturave të SHISH, duhet që të kenë eksperiencë pune në këtë fushë. Por, një cilësi do të jetë edhe arsimi i lartë, si dhe mosha e aplikantëve, të cilët nuk duhet të jenë më shumë se 35 vjeç. Kriteri që është edhe më kryesori është zotërimi i gjuhëve të huaja, asaj angleze, por veçanërisht gjuhëve të rralla.
Njoftimi
“Shërbimi Informativ i Shtetit kërkon të punësojë shtetas, të cilët pas konkurrimit do t’i nënshtrohen trajnimit për të qenë në dispozicion të SHISH. Nevojat e SHISH janë fokusuar në:
1- Inspektorë terreni në njësitë e SHISH jashtë Tiranës.
2- Inspektorë me njohuri të gjuhëve të rralla.
Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
– të jenë shtetas shqiptarë;
– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të kenë mbaruar arsimin e lartë;
– të kenë eksperiencë pune nga 3-10 vjet;
– të jenë deri në moshën 35 vjeç;
– të jenë të aftë nga ana shëndetësore;
– të kenë njohuri të mira në gjuhën angleze, preferohen me gjuhë të rralla;
– të kenë njohuri për programet bazë të kompjuterit;
– të kenë dëshmi të bardhë penaliteti dhe të mos kenë implikime me organet e drejtësisë.
Të interesuarit të paraqiten pranë Drejtorive të SHISH në rrethe deri në datën 19 qershor 2015, ora 12:00, ndërsa pranë Shërbimit Informativ të Shtetit në aparatin Qendër deri në 22 qershor 2015, me dokumentet e mëposhtme:
– kërkesë për punësim;
– curriculum vitae (nr tel, fix dhe cel);
– fotokopje e letërnjoftimit elektronik (kartës së identitetit);
– fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë dhe listës së notave;
– certifikatë familjare;
– vërtetim nga prokuroria e rrethit përkatës;
– vërtetim nga gjykata e rrethit përkatës;
– vërtetim nga zyra përmbarimore e rrethit përkatës;
– certifikata trajnimesh të ndryshme, nëse kanë;
– fotografi 4×6 (4 copë) dhe 9×12 (2 copë)”,
thuhet në njoftimin e botuar në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ Shtetëror.
(a.n/GSH/BalkanWeb)
