TIRANË

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve duke arrestuar 2 të rinj dhe shpallur në kërkim drejtuesin e grupit.

Në vijim të punës për kontrollin e territorit, kapjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike si dhe në bazën e informacioneve të marra në rrugë operative Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë finalizoi operacionin e koduar “Parkimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: S.K., 18 vjeç, dhe A.A., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit O.A. (nuk jepen të dhëna të tjera për arsye hetimi).

Shërbimet e Policisë kanë marrë informacione në rrugë operative se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike kanabis në doza të vogla, në zona të ndryshme në Tiranë.

Gjatë operacionit në rrugën “Rrapo Hekali”, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në parkingun ku ishte punonjës shtetasi S.K., dhe si rezultat i kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi lëndë narkotike kanabis të ndarë në doza gati për shitje, si dhe në një ambient tjetër të parkingut gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi tjetër lendë narkotike, gjithësej rreth 620 gramë, 3 aparate celular, 2 peshore elektronike, 1 aparat DVR dhe 1 shkop bejsbolli.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit S.K dhe A.A, merreshin me shitjen e lëndës narkotike për llogari të shtetasit O.A i cili është shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb