Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka vizituar me urgjencë KZAZ nr.30 në Kashar, pas incidentit të ndodhur për shkak të një vote të kontestuar.

Në një prononcim për mediat, Celibashi deklaroi se pas marrjes së disa masave, numërimi ka rifilluar por në ambientet e kësaj KZAZ-je nuk do të jenë të pranishëm vëzhguesit politikë.

“Numërimi në KZAZ-në e Kasharit ka filluar pa praninë e vëzhguesve politikë. Përjashto vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediat.

Mediat kanë të gjithë të drejtën për ta ndjekur procesin që nga dita e parë. Për shqetësimin e mediave sapo ia kemi komunikuar Policisë së shtetit prezencën tuaj. Nëse nuk ju lejojnë do kthehem përsëri këtu.

Diskutimin për fletën për të cilën ndodhi ngjarja nuk është vendi për ta komentuar”, tha Celibashi, pa dhënë shpjegime të tjera për rrethanat e incidentit, se e kujt ishte vota e kontestuar.

Një nga masat urgjente të KQZ pas incidentit në Kashar mesditën e sotme, teksa u godit me grusht sekretari i kësaj KZAZ-je, dyshohet prej një vëzhguesi të Partisë Socialiste, është revokimi i akreditimeve të të gjithë vëzhguesve të KZAZ-së nr. 30, Qarku Tiranë, të akredituar për procesin zgjedhor të Kuvendit të datës 11 maj 2025.

Në vendimin e publikuar zyrtarisht, KQZ thotë se ky revokim bëhet në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe vendimin nr. 23, datë 1.2.2023, për kriteret dhe procedurat e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore.

Sipas pikës së dytë të vendimit, KZAZ nr. 30 detyrohet të caktojë një vëzhgues për çdo tavolinë numërimi për secilin subjekt zgjedhor, ndërsa në rastin e koalicioneve deri në tre vëzhgues.

Vendimi i KQZ-së hyn në fuqi menjëherë dhe është publikuar në faqen zyrtare të institucionit. Palët që ndihen të prekura nga ky vendim kanë të drejtë ankimi në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 ditëve nga shpallja e tij.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb