Një 70-vjeçar nga fshati Markat në Konispol është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi shkaktoi një zjarr me pasoja të rënda në zonë. Sipas Policisë së Sarandës, shtetasi F. M. dyshohet se më 26 korrik, rreth orës 09:00, kishte ndezur zjarr për të pastruar një sipërfaqe toke kullotë, por për shkak të erës së fortë, flakët dolën jashtë kontrollit.
Si pasojë e përhapjes së zjarrit, u dogjën rreth 3.5 hektarë kullotë me barishte dhe shkurre, ndërsa flakët u përhapën edhe në territorin e banuar të fshatit, ku u përfshi një stallë me 10 krerë dele dhe një kotec me shpendë.
Policia ka referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
