Pas akuzave nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, institucionet e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe të KESH kanë pësuar ndryshime të rëndësishme.

Gentian Gjyli, i cili është marrë i penduar nga SPAK dhe aktualisht ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO), është larguar nga drejtimi i ARRSH. Në vend të tij është emëruar Ami Kozeli, i cili më parë ka shërbyer si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkohë, Viola Haxhiademi është emëruar në krye të KESH, duke zëvendësuar Erald Elezin, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Haxhiademi ka një përvojë të gjatë në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ka shërbyer si drejtoreshë e Kabinetit të Ministres dhe që nga viti 2019 si Sekretare e Përgjithshme.

Sakaq, nga detyra si zv/ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë u shkarkua edhe Besjan Kadiu.

Pavarësisht këtyre lëvizjeve, si Haxhiademi ashtu edhe Kozeli do të jenë ende nën varësinë e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila po ashtu akuzohet nga SPAK, i cili kërkon edhe autorizimin për arrestimin e saj.

Sipas SPAK, drejtori i KESH, Erald Elezi, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera për dy projekte me vlerë 210 milionë euro: Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Ai ka qenë gjithashtu Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH për tenderin e Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Kreu i ARRSH, Gentian Gjyli, akuzohet gjithashtu nga SPAK për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, ndërsa masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tenderin e Tunelit të Llogarasë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb