(Në përditësim) TIRANË- Ndërsa po stabilizohet situata në jug të vendit ku uji është tërhequr nga zonat e përmbytura, po rritet frika për rikthimin e përmbytjeve në veri, veçanërisht në zonën e NënShkodës.

Kjo pasi reshjet e shumta të ditëve të fundit çuan në hapjen e portave të shkarkimit ne Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejes. Shkarkimet që po bëhen me qëllim që të ulet niveli në liqene, duket se kanë sjellë edhe problemet e para.

Kështu, mëngjesin e sotëm raportohet për prezencë uji në zonën e NënShkodrës. Uji është shfaqur në tokat bujqësore në fshatin Obot ndërsa rrezikon të bllokojë edhe rrugën kryesore.

Gazetarja e News 24 në Shkodër, Eliona Kodra raportoi se deri më tani janë përmbytur tokat bujqësore në Obot, ndërsa në Dajç nuk ka prezencë uji për momentin.
Kodra sqaroi se vetëm mbrëmë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës është shkarkuar 120 metër kub ujë në sekondë.

Pas kësaj situate KESH deklaroi se nga Fierza nuk po shkarkohet më, ndërsa në Vaun e Dejës është ulur në 400 m3/s.

Burimeve pranë hidrocentralit të Vaut të Dejës, nuk dihet ende derisa do vijojnë shkarkimet.

KESH: NUK PO SHKARKOHET MË NGA FIERZA, ULET SHKARKIMI NGA VAU I DEJËS
Ora 14:32- Në informacionin e shpërndarë nga KESH në lidhje me situatën e shkarkimeve në HEC-e bëhet me dije se situata është në monitorim të vazhdueshëm.

Nga të dhënat nuk ka më shkarkime nga porta në HEC e Fierzës, ndërsa shkarkimi nga porta në HEC Vau i Dejës ka rënë në 400 m3/s. Gjithashtu njoftojmë se kanë rënë prurjet në të tre HEC-t, çka do të thotë se dhe shkarkimet janë në nivelin e prurjeve.

Njoftojmë gjithashtu se nuk ka asnjë arsye për panik të përmbytjes në zonën e Nënshkodrës. Shkarkimet e kryera kane qënë të kontrolluara dhe nuk kanë krijuar probleme shqetësuese. Vetë niveli i Bunës nuk ka patur rritje që prej ditës së premte dhe situata është mbajtur në kontroll. Tashmë kur dhe niveli i shkarkimit në HEC Vau i Dejës është ulur në 400 m3/s, situata vjen në përmirësim të vazhdueshëm dhe nuk ka asnjë aresye të shpërndahen informacione të pakonfirmuara dhe që shkaktojnë panik.

FIERZA: Kuota 292.12m | Q=400m3/sec | P=475 MË | 4 AG ne pune | Shkarkim nga porta 0m3/s

KOMANI: Kuota 173.59m | Q=750/140m3/sec | P=375MË | 3AG ne pune |Shkarkim nga porta 300m3/s

V.DEJES: Kuota 74.88 | Q=840/100m3/sec | P=188MË | 4Ag ne pune | Shkarkim nga porta 400m3/s|Shkarkim total 840m3/s

KRYEPLAKU: 70 HEKTARË TOKË TË PËRMBYTURA NË GORICË
Ora 14:00- Kryeplaku i fshatit Goricë, në zonën e Nënshkodrës Zydi Vishi deklaroi se edhe në fshatin Gorice po rritet niveli i ujit. Ai foli për rreth 7- hektarë tokë të përmbytura deri më tani.

MB: NARTA NUK RREZIKON PERMBYTJEN
Ora 12:08 Por ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë çarje të kanalit të kullimit të Nartës dhe asnjë rrezik përmbytjeje në këtë zonë për shkak të ujërave të këtij kanali.

Drejtuesit e shtabit të Emergjencave Civile dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme së Emergjencave Civile janë në terren duke ndjekur nga afër punimet për pastrimin e plotë të kanalit të kullimit të Nartës, i cili lidhet me kanalin e ujërave të larta të Vlorës.

Aktualisht në kanalin e Nartës janë dërguar mjetet e nevojshme si skrepa dhe fadroma për të pastruar pjesë të caktuara të kanalit, që janë bllokuar pjësërisht si dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme që të evitohet çdo rrezik i mundshëm në ditët e ardhshme. Situata është tërësisht nën kontroll dhe brenda të gjitha parametrave të sigurisë së kërkuar.

VLORË, CAHET TRASEJA E KANALIT, NARTA RREZIKON TË PËRMBYTET
Ora 11;05- Rreth mesditës së sotme është bërë me dije se është çarë traseja në afërsi të kanalit të kullimit të Nartës, duke rrezikuar përmbytjen e fshatit.

Komuna po merr masa për mbajtjen në kontroll të situatës, ndërkohë që në një reagim për News 24, kryekomunari Fredo Berberi deklaroi se, “Po marrim masat për mbylljen e trasesë. Janë mbyllur portat që derdhin ujin në lagunë. Po punojmë për riparimin e argjinaturës”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: