Kryeministri Edi Rama foli për shkarkimin e mjekut Ilir Allkja nga QSUT, pasi zbuloi, sipas tij, të vërtetat që ndodhnin brenda spitalit me të infektuarit me koronavirus.

I ftuar në emisionin “Open”, Rama tha se është marrë vendimi i drejt ndaj mjekut Allkja, pasi sipas kryeministrit, Ministria e Shëndetësisë ka verifikuar të gjitha ato që ka thënë mjeku dhe ka rezultuar se ai ka bërë propagandë.

“Një njeri që del në ekran dhe mbush opinionin me dezinformim, nuk mund të jetë në sistem. Kanë marrë masë për të dhe shumë mirë kanë bërë. Të gjitha ato që ka thënë ai janë verifikuar jo nga ata që e hoqën dhe jo kur u hoq, por janë verifikuar rast pas rasti nga Ministria e Shëndetësisë. E njihka situatën ai dhe nuk e njihka Najada Çomo, që ul kokën, apo Tritan Kalo, që ka pasur jo vetëm kurajon, por edhe shpejtësinë të dalë në protestë, të shkruajë edhe letra. E njihka situatën një person i tillë. Shko bëje këtë diku tjetër! Unë nuk ndëshkoj asnjë, e mora vesh, dhe ai është ndëshkuar me argumentin shkelje e etikës dhe mirë është bërë. Gjithkund ka hierarki, nuk mund të dalësh të flasësh në televizor në kohë lufte, pa hierarki, e mbi të gjitha duke dezinformuar publikun. Ka procedura në shtet, ato që ka thënë ai janë verifikuar dhe kanë rezultuar të gjitha propagandë. Franca e ka të prerë se nëse ti punon në administratën publike, nuk ke të drejtë të prononcohesh. Pikë!”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndërsa për analistin Agron Gjekmarkaj “Rasti i Ilir Allkjas e ka shqetësuar kryeministrin, sepse ndonjëherë mjafton një zë i vetëm për të rrëzuar sistemin”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb